Skena politike në Maqedoninë e Veriut po i nënshtrohet ndryshimeve të çdo ditshme, është bërë kaotike dhe mjaft komplekse. Në shërbim të kësaj situate të pakuptimtë ka qenë formimi i “partive javore” që sikur të jenë revista për çdo javë dilte një parti e re apo numër i ri i revistës në të cilën nuk shkruhet asgjë por me titull do të jemi fitues. Pra, sa më shumë shtohej numri aq më shumë vazhdohej me këtë ritëm. Madje, edhe pasi arriti numri në 10 parti sërish vazhdon formimi i partive të reja nga njerëzit e harxhuar politikisht. Qeverisja VMRO-BDI mbahet gjatë kohë në mend, sepse kanë qeverisur për një kohë të gjatë. Por, nga momenti që ndërkombëtarët ishin të mendimit që VMRO-ja e Gruevskit duhej të largohej nga qeverisja, edhe pasi i fitoi kjo e fundit zgjedhjet nuk arriti të bëjë qeverinë pasi nga BDI ishin “të porositur” për të mos shkuar me VMRO-në. Këtu filloi ndarja mes këtyre dy partive që për një kohë të gjatë kishin qeverisur me vendin pa kurrfarë problemi në partneritet. Dhe, nga dy parti pa kundërshtime u kthyen në dy partie me kundërshtime dhe refuzime të njëra tjetrës, VMRO nga opozita e BDI nga pushteti. Nga VMRO kanë paralajmëruar që nëse janë fitues të zgjedhjeve do të formojnë qeveri pa BDI, sepse sipas tyre BDI po qeverisë me vendin dhe jo LSDM. Nga BDI gjithashtu vazhdojnë me tone të larta dhe refuzuese për këtë parti, mbetet të shihet meqë jo me BDI-në, me cilat parti shqiptare VMRO-ja do të formojë qeverinë, shkruan Zhurnal.
VMRO garanton që nuk do të bëj qeveri me BDI-në –
Ndarja e BDI-së me VMRO-në ka qenë më e hidhur sesa është pritur për faktin se kanë pasur një mirëkuptim të jashtëzakonshëm përderisa ishin partner në qeverisje. Dhe, tani VMRO dhe BDI vazhdojnë të jenë aktual në skenën politike por vetëm me sulme ndaj njëra tjetrës parti.
Aleksandar Nikollovski nga VMRO, ka deklaruar se pas zgjedhjeve një gjë është e sigurt, se ata nuk do të bëjnë koalicion me BDI-në. Në intervistën për REL, Nikollovski, ka deklaruar se një nga arsyet për rejtingun e ulët të LSDM-së, është për shkak se ata nuk e kanë realizuar premtimin e tyre të vitit 2016, kur lideri i partisë, Zoran Zaev, tha se nuk do të hyjnë në koalicion me BDI.
“Kjo udhëheqësi e BDI-së për fat të keq gjithçka ka kriminalizuar deri në maksimum, po thuajse nuk ka ditë në të cilën nuk ka ndonjë aferë për përfaqësues të BDI-së. Kjo është sjellje të cilën askush nuk mund ta toleroj dhe sjellje që duhet të hetohet nga organet dhe jo të jetë pjesë e punës qeveritare, për shkak se ne dalim me programin tonë dhe këtë program nuk mund ta zbatojnë njerëz të cilët shkojnë në mëngjes në punë dhe mendojnë se si të keqpërdorin diçka ose të bëjnë krim”, ka thënë Nikollovski.
Por, në fakt edhe nga LSDM dikur garonin në zgjedhje me parulla “pse jo BDI në opozitë” e krejt në fund Zoran Zaev që bënte thirrje të tilla u “pensionua nga politika”, dhe BDI në krye me Ahmetin vazhdoi të qeveriste me vendin bashkë me LSDM-në.
Nëse me BDI-në JO me kë do të bëjë qeverinë VMRO-ja?
Meqë edhe rrethanat janë të tilla që VMRO nga BDI janë distancuar mjaftueshëm në mungesë të ish kryeministrit, Nikolla Gruevskit, nuk dihet nëse VMRO do të dalë fituese e zgjedhjeve, poqë doli atëherë me kë do të bëj koalicion, pasi para zgjedhjeve ka vendosur vijë të kuqe për BDI-në.
Ndryshe, duhet përmendet fakti që pa shqiptarët nuk mund të bëhet qeveri, dhe duke u bazuar këtu VMRO nëse del fituese e zgjedhjeve është e obliguar që në koalicion të ketë të paktën një partner shqiptarë. Përpos BDI-së në kampin shqiptarë ekzistojnë e funksionojnë edhe një numër i madh i partive politike por që vetëm një pjesë e tyre mund të jenë fitues të disa ulëseve në Kuvend.
Deri në këto momente disa prej partive opozitare janë bashkuar dhe tani më identifikohen si “Lidhja Evropiane për Ndryshim”, pjesë përbërëse e të cilit koalicion janë: Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa. Tri parti që duket se kanë bërë një front të fuqishëm dhe të gatshëm për të garuar në zgjedhje. Por, nëse VMRO zgjedh partitë opozitare shqiptare saktësisht koalicionin në fjalë për të qeverisur a do të pranojnë këto të fundit?
Koalicioni i partive opozitare shqiptare duket që do të fitojë numër të konsiderueshëm të ulëseve në Kuvend, por këto do të garojnë në zgjedhje me parulla kundër VMRO-së dhe BDI-së, LSDM-së. Prandaj, do të jetë shumë e vështirë të gjejnë mirëkuptim me VMRO-në si në ndarjen e resorëve ngjashëm edhe në funksionim. Pasi nga VMRO janë dorështrënguar në dhënien e pozitave të rëndësishme shtetërore shqiptarëve. Sepse, këto të fundit pikërisht në këtë pikë e sulmojnë LSDM-në.
Opsioni tjetër mbetet Aleanca për Shqiptarët që deri në këto momente nga kjo parti janë prononcuar që do të garojnë të vetëm në zgjedhje. Nuk përjashtohet si mundësi për faktin që kjo parti po qeverisë bukur mirë me VMRO-në në pushtetin lokal në Gostivar, ngjashëm edhe në Shkup kishin funksionuar dhe kishin fituar qytetin e Shkupit me Danella Arsovska.
VMRO ka mbyllur derën e qeverisë për BDI-në, por për partitë tjera nuk ka ndonjë qëndrim akoma që i bie se derën e kanë hapur. Në fakt cila do parti shqiptare që do të pranojë koalicionim me VMRO-në do të akuzohet si parti pro-ruse dhe anti evropiane, por që nuk përjashtohet mundësia e arsyetimit të tyre që po bëhen pjesë e qeverisë së VMRO-së vetëm me pretekstin për ta larguar “të keqen e shqiptarëve” nga pushteti. /Zhurnal.mk