
Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Përparim Kabashi, është zotuar se gjatë dimrit furnizimi me rrymë nga prodhimi vendor do të jetë në nivel.
Deklaratën e ka dhenë gjatë një vizite të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Sipas njoftimit, Kabashi ka njoftuar Rizvanollin për gjendjen aktuale, të arriturat dhe sfidat e proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u, “me theks të veçantë për implementimin me sukses të projekteve kapitale, si ai i Dilatimeve në Kaldatë e njësive B1 dhe B2 që njëherësh kanë qenë parakusht për implementimin e projektit të Elektro-Filtrave dhe pajisjeve për zvogëlimin e DeNOx-it, si dhe projekti i ndërrimit të zbarrave të Gjeneratorit në njësinë B1 i cili gjithashtu ka përfunduar me sukses”.
KEK-u ka thënë se në dy njësitë e termocentralit Kosova B janë kryer edhe një sërë riparimesh të tjera, “të cilat ishin planifikuar gjatë remonteve të rregullta vjetore të cilat kanë ndikuar në ngritjen e sigurisë se operimit”.
Kabashi ka thënë se remontet dhe revizionet e rregullta vjetore janë realizuar me sukses edhe në njësitë A3 dhe A5 të termocentralit Kosova A, ndërsa në njësinë A4 është duke u realizuar remonti i rregullt vjetor “konform dinamikës së planifikuar dhe pritet të rikthehet në operim në fillim të muajit dhjetor”.
“Kabashi ka njoftuar se edhe Divizioni i Prodhimit të Qymyrit (DPQ) ka siguruar rezerva të mjaftueshme të lëndës së parë (qymyrit). Prandaj, duke u bazuar në të gjitha përgatitjet e bëra në tri divizionet e prodhimit, nuk ka mëdyshje që furnizimi nga prodhimi vendor do të jetë në nivel edhe gjatë sezonit dimëror”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.
Vitin e kaluar, sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), janë importuar mbi 750 mijë megavate energji elektrike, ndërsa nga termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës janë prodhuar rreth 6.35 milionë megavate.