
Joël Guerriau dyshohet se ‘i ka dhënë ecstasy një të ftuare femër, pa dijeninë e saj”.
Senatori francez Guerriau i partisë centriste Horizons, është ndaluar nga policia e Parisit si i dyshuar se ka droguar një kolege femër me qëllim ta sulmonte seksualisht, njoftonte sot zyra e prokurorisë publike.
Duke folur me rrjetin Politico, prokuroria e Parisit konfirmonte se Guerriau ishte arrestuar mbrëmjen e të mërkurës kur gruaja e paemëruar publikisht ngriti ankesën se i ishte “administruar pa dijeninë e saj një substancë që i ndryshonte gjykimin apo kontrollin e veprimeve, me qëllim përdhunimin apo sulmin seksual”.
Senatori mbetej sot në paraburgim dhe përballet me një dënim të mundshëm maksimal prej pesë vitesh burg apo dhe gjobë €75,000.
Shumë media franceze konfirmonin se gruaja në fjalë është deputete aktuale e parlamentit francez, identiteti i se cilës do te publikohet se shpejti.
Avokati Guerriau, Rémi-Pierre Drai tha për rrjetin vendas Agence France-Presse se nuk do të jepte informacione për “substancën” në fjalë, sipas tij prej respektit për “klientin e tij dhe për ankimuesen.”
“Ne nuk merremi me interpretimet njollosëse të mediave”, shtoi ai.
66 vjeçari Guerriau, është senator i rajonit perëndimor Loire-Atlantique ku është zgjedhur për herë të parë në vitin 2011.



Top Channel