Armela Murati ka hyrë në historinë e Forcave të Armatosua të Shqipërisë si pilotja e parë femër. Ajo mban gradën togere dhe është pjesë e ushtrisë shqiptare prej katër vitesh
Fatjon Cuka |04.12.2024 – Përdıtësım : 04.12.2024
Tiranë
FATJON CUKA
Shqipëria shënon këtë vit 112-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura, pasi më 4 dhjetor 1912 u krijua Ushtria Kombëtare Shqiptare, forcë e cila kaloi në disa faza transformimi në periudhat e ndryshme historike.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në prill të vitit 2009 solli edhe transformimin e forcave të armatosura në një ushtri profesioniste, të përbërë nga mijëra pjesëtarë, personel ushtarak dhe civil.
Pjesë e këtij transformimi është dhe përfshirja e femrave në ushtri, ku aktualisht përbëjnë mbi 20 për qind të personelit, ushtarake dhe civile. Në vitet fundit femrat në Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë përfshirë edhe në nivele drejtuese, por kanë spikatur edhe në pozicione të tjera brenda ushtrisë.
Armela Murati ka hyrë në historinë e Forcave të Armatosua të Shqipërisë si pilotja e parë femër, ndërkohë aktualisht shërben në Bazën Ajrore Farkë në Tiranë. Murati, 28-vjeçe, e cila mban gradën togere është pjesë e ushtrisë shqiptare prej katër vitesh dhe prej dy vitesh është certifikuar si pilote.
Për Anadolu, Murati, e cila ka kryer edhe studimet për gjuhë angleze në Shqipëri tregon se dëshirën për të shërbyer në ushtri dhe veçanërisht në forcën ajrore e ka të trashëguar nga familja.
“Më 1 shtator 2020 u bëra pjesë e Forcave të Armatosura. Dëshira për të qenë pjesë e ushtrisë me vjen nga familja, duke qenë se vij nga një familje ushtarakësh. Babai si një njeri që ka shërbyer për shumë vite në Forcat e Armatosura e ka trashëguar dhe tek unë këtë lloj dëshire dhe ja ku jam sot në uniformë”, tha Murati.
Në shtator të vitit 2022 Murati pas kursit dhe trajnimeve brenda dhe jashtë vendit është certifikuar si pilot ushtarak helikopteri.
Teksa pas saj qëndron helikopteri i ushtrisë shqiptare “Black Hawk” që përdoret kohët e fundit së bashku me helikopterë të tjerë, ajo thekson se të jesh pjesë e forcës ajrore dhe si një pilote për të është një privilegj goxha i madh.
“Të jesh pjesë e forcave të Armatosura nuk është e lehtë, por është nder dhe krenari. Dëshiroj shumë që të eci sa më shumë në këtë profesion dhe të arrij sa më lart. Unë drejtimin tim e kam marrë, dëshiroj shumë që të zhvillohem sa më shumë, të bëhem operacionale dhe të kryej detyra të ndryshme që forca ajrore i kryen”, tregon ajo.
Një nga momentet e veçanta dhe emocionuese të angazhimit të saj si pilote është edhe pilotimi vetëm i helikopterit (solo flight), një proces që përcakton vazhdimin e karrierës si pilote.
“Është një fluturim që çdo pilot duhet ta kalojë (fluturimi vetëm) për të vërtetuar dhe treguar aftësitë që ai vetë mund ta pilotojë një helikopter edhe vetëm. Ka qenë një ditë e mbushur me emocione dhe festuam më pas”, tregon e emocionuar Murati.
Murati thekson se për një pilote nuk mbaron asnjëherë trajnimi. “Ne si pilotë të rinj jemi akoma në fazë trajnimi. Forca ajrore dhe pilotët trajnohen që ne t’i shërbejmë vendit në ditë të mira dhe të vështira. Disa nga detyrat që ne po stërvitemi që të bëjmë janë për zjarret, përmbytjet, kërkim-shpëtimin, transport të trupave dhe shumë detyra të tjera që i kërkon vendi”, tha Murati.
Ajo shprehet se të gjitha detyrat që kryhen në forcat ajrore kërkojnë shumë përkushtim. Duke theksuar se historia ka treguar që vajzat mund të jenë të barabarta me meshkujt në shumë fusha të jetës, Murati në fund iu bën thirrje të rinjve që të punojnë fort për arritjen e ëndrrave dhe qëllimeve të tyre në jetë./aa.com.tr/