Categories VENDI

BUXHETI 2025, LSDM dorëzon 200 amendamente

Propozim-Buxheti për vitin 2025 është buxheti i parë që propozon kjo Qeveri dhe në të qytetarët prisnin politika që do të sillnin një jetë më të mirë dhe zhvillim ekonomik. Por në vend të kësaj, ne morëm një dokument pa vizion dhe kreativitet, i cili është joreal, jozhvillimor , që synon të kënaqë vetëm aktivitetet parazgjedhore. Ky buxhet do të jetë gjenerator i borxheve të reja dhe një vit tjetër i humbur për ekonominë dhe për qytetarët, deklaroi në konferencën e sotme për media kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

“Ky buxhet siç është propozuar është i përshtatur për të përmbushur nevojat e qeverisë, jo të qytetarëve. Me një rritje të XHDP-së prej 3.7% që e parashikon qeveria, e cila nuk ka shanse të realizohet, ky buxhet është një përpjekje tjetër për të mashtruar opinionin”, tha Filipçe.

Ai theksoi se projeksionet e Bankës Popullore dhe të Bankës Botërore janë nën këto shifra, gjë që e bën të qartë se këto shifra nuk do të sjellin rritje reale ekonomike, por rritje të borxhit publik.

“Të gjitha këto të dhëna tregojnë se Qeveria është e gatshme t’i obligojë qytetarët për tri gjeneratat e ardhshme, pa krijuar zhvillim”, vazhdoi Filipçe. Ai kujtoi gjithashtu se qeveria po vepron ilegalisht me Propozimin e saj të parë Buxhetor, me një deficit prej 4% të XHDP-së, në kundërshtim me kufijtë ligjorë që lejojnë maksimumi 3%. Me këtë qasje, ne vetëm po e rëndojmë buxhetin, që në fund do të nënkuptojë rritje të taksave apo ulje të shërbimeve publike për qytetarët”, shtoi ai.

Kryetari i LSDM-së iu referua edhe mjeteve nga kredia nga Hungaria, e planifikuar për kredi të favorshme përmes bankave komerciale, për të cilat Qeveria u pajtua që qytetarët të paguajnë interesin.

Filipçe po ashtu theksoi se investimet kapitale në propozim-buxhetin tregojnë mungesë të plotë ideje. “Qeveria nuk ka asnjë projekt të vetin dhe projektet kapitale që i ka nisur LSDM-ja, si korridori Bechtel dhe Enka, mbeten të vetmet që do të realizohen”, tha ai.

LSDM nuk do të votojë për një buxhet të tillë dhe ka dorëzuar 200 amendamente që kanë për qëllim përmirësimin e politikave kyçe fiskale. “Përmes këtyre ndryshimeve propozojmë rritje të pagave në sektorin publik, veçanërisht në arsim, polici dhe zjarrfikës, si dhe investime në mjete të avancuara teknologjike për të përmirësuar sigurinë e qytetarëve”, theksoi ai. 

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *