Cristiano Ronaldo nuk njeh moshë. Muskujt e tij janë ende në gjendje të vrapojnë dhe nuhatja për golin nuk i ka humbur edhe pse në moshën 40-vjeçare.
Portugezi ka shënuar dy gola në ndeshjen që ekipi i tij, Al Nassr ka zhvilluar sot përballë Damac në Superligën e Arabisë, duke rikthyer verdheblutë sërish te fitoret.
Legjenda e vazhdoi serinë e tij të jashtëzakonshme të golave pasi shënoi fillimisht nga penalltia në minutën e ’17 për t’i dhënë epërsinë ekipit të tij.
Në pjesën e dytë, Bedrane u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke lënë ekipin e Damac me një lojtar më pak nga minuta e 56-të. Mbrojtja e vendasve u shthur plotësisht pasi mbetën me 10 lojtarë dhe situata u shfrytëzua më së miri nga Ronaldo, i cili shënoi golin e dytë.
Me këtë fitore, Al-Nassr vazhdon të mbetet në vendin e dytë në renditje, por që tashmë ka reduktuar në vetëm pesë pikë diferencën me liderin Al-Ittihad, ku luan mbrojtësi kuqezi Mario Mitaj, e që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.