
Si shembull i politizimit përmendet procedura e interpelancave ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi. Edhe pse këto interpelanca nuk kishin bazë ligjore për shkarkim, ato u vlerësuan si propozime politike për mosbesim, që rrezikojnë legjitimitetin dhe pavarësinë e këtij institucioni
Evis HALILI
Shkup, 14 janar – Parlamenti i Këshillit të Evropës ka publikuar raportin më të ri të monitorimit për Maqedoninë e Veriut, në të cilin propozon që të ndërpritet monitorimi i rregullt i vendit, por pas disa vitesh të bëhet një verifikim i posaçëm i progresit në disa fusha kyçe ku Strasburgu evidenton probleme serioze: ligjet zgjedhore, gjendjen në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, të drejtat e pakicave dhe situatën në burgje, të cilën e cilëson si shumë të keqe.
Raporti vjen pas vendimit për heqjen e monitorimit për Bullgarinë, vendim që kishte shkaktuar reagime edhe në Maqedoninë e Veriut për shkak të moszbatimit të shumtë të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë kontekst, vëzhguesit e Këshillit të Evropës vlerësojnë se edhe ndaj Maqedonisë së Veriut është treguar një lloj tolerance, ndonëse raporti paraqet një pamje tejet kritike të gjendjes së drejtësisë dhe mungesës së reformave reale. Në raport theksohet se në vend, në vend të përmirësimeve, po vërehen përkeqësime, ndërsa reformat dhe ligjet e reja shpallen, por nuk zbatohen. Si shembull dramatik për dobësitë sistemike përmendet edhe tragjedia në Koçan, e cila, sipas Strasburgut, zbuloi mungesa serioze në sigurinë kundër zjarrit.
Sipas raportit, klubi i natës kishte licencë për 250 persona, ndërsa në ditën e tragjedisë ndodheshin mbi 1500 njerëz. “Shkeljet e rënda të sigurisë ishin të njohura dhe të toleruara për shkak të korrupsionit dhe ryshfetit në institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit”, vlerëson raporti, duke theksuar se licenca ishte lëshuar në mënyrë të paligjshme nga Ministria e Ekonomisë. Gjithashtu, reagimi i zjarrfikësve dhe i shërbimeve mjekësore kishte qenë më i ngadalshëm se standardet, çka hap pyetje serioze për gatishmërinë e institucioneve në raste emergjente.
KORRUPSIONI DHE DËSHTIMI I MEKANIZMAVE KONTROLLUES
Raporti thekson se Maqedonia e Veriut ka rënë më tej në indeksin e perceptimit të korrupsionit gjatë vitit të kaluar. Si fakt shqetësues përmendet edhe se ish-kryetarja tashmë e shkarkuar dhe e akuzuar e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nuk kishte hapur asnjë rast të vetëm për hetim korrupsioni gjatë mandatit të saj. Kjo vjen në vazhdën e kritikave se anëtarët e këtij institucioni janë perceptuar si të afërt me pushtetin dhe pa iniciativa proaktive.
AKADEMIA E GJYQTARËVE NË “GJENDJE VEGETATIVE”
Një nga konstatimet më alarmante lidhet me faktin se që nga viti 2020 Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë nuk ka pranuar asnjë gjeneratë të re, ndonëse vendi përballet me mungesë serioze të gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet. Procesi për pranimin e 130 praktikantëve, i nisur mbi dy vjet më parë, ende është i bllokuar pa shpjegime të qarta. Në Gjykatën Supreme, vetëm 14 nga 26 pozitat janë të plotësuara, thekson raporti. Përveç mungesës së burimeve njerëzore dhe financiare, evidentohet edhe mungesë e theksuar e koordinimit ndërinstitucional. Si shembull përmendet Këshilli për monitorimin e Strategjisë për zhvillimin e gjyqësorit (2024–2028), i cili nuk është mbledhur fare në vitin 2024 dhe është takuar për herë të parë vetëm në shtator 2025.
Vetëm 28% e qytetarëve dhe 26% e kompanive e vlerësojnë pavarësinë e gjyqësorit si “të mirë” ose “shumë të mirë”. Sipas Strasburgut, kjo është pasojë e presioneve politike, ndërhyrjeve nga pushteti dhe interesave ekonomike. Raporti kritikon edhe iniciativat e qeverisë të drejtuara drejtpërdrejt ndaj gjyqësorit, veçanërisht ndaj Këshillit Gjyqësor, duke paralajmëruar për rrezik serioz ndaj parimit të ndarjes së pushteteve.
INTERPELANCAT, PRESION POLITIK
Si shembull i politizimit përmendet procedura e interpelancave ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi. Edhe pse këto interpelanca nuk kishin bazë ligjore për shkarkim, ato u vlerësuan si propozime politike për mosbesim, që rrezikojnë legjitimitetin dhe pavarësinë e këtij institucioni.
“Si vijim, qeveria propozoi shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor dhe të Këshillit të Prokurorëve, ndërsa në mars të vitit 2025, Kuvendi votoi për ‘interpelanca’ ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor që nuk janë magjistratë dhe që ishin zgjedhur nga Kuvendi. Arsyet e përmendura për interpelancat ishin kryerja jo profesionale e detyrave, gjë që e ka eroduar edhe më tej nivelin tashmë të ulët të besimit publik në gjyqësor. Edhe pse këto propozime nuk ofrojnë bazë ligjore për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, ato në thelb përfaqësojnë propozime politike për mosbesim, duke rrezikuar të minojnë legjitimitetin dhe pavarësinë e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor”, thuhet në raportin e Asamblesë Parlamentare, ku shtohet:
Në qershor të vitit 2025, Komisioni i Venecias nxori një opinion për projektligjin për Këshillin Gjyqësor (me kërkesë të ministrit të Drejtësisë) dhe dha një sërë rekomandimesh, përfshirë largimin e ministrit të Drejtësisë nga Këshilli Gjyqësor dhe sqarimin e procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të tij nga Kuvendi, duke siguruar që zgjedhja të bazohet në meritë, si dhe sqarimin e bazave për shkarkimin e anëtarëve të tij, kryetarit dhe nënkryetarit. “Qeveria, thuhet në raport, ende po punon në këtë projektligj”.
Si “një shembull tjetër shqetësues” përmendet edhe procedura për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Ljupço Kocevski, pasi janë evidentuar “mangësitë në rregullat për shkarkim dhe rreziku i politizimit”. Ndërkohë, sipas Strasburgut, korrupsioni në sektorin publik mbetet një problem serioz dhe perceptimi i tij ndër ekspertë, qytetarë dhe biznese vazhdon të jetë i lartë.
“Korrupsioni nuk lidhet vetëm me funksionarë të lartë në sferën politike, por edhe me sektorë të tjerë, veçanërisht me shëndetësinë publike, prokurimet publike dhe burgjet”, thuhet në raport. Si shembull, përmendet rasti i Lotarisë Shtetërore, ku janë të akuzuar tetë ish-funksionarë të lartë, përfshirë edhe një ish-zëvendëskryeministër, si dhe rasti i ish-drejtorit të Shërbimit Qeveritar për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Pece Mirçeski, i cili u arrestua nën akuza për korrupsion mbi katër baza: marrje ryshfeti, falsifikim dokumentesh zyrtare, përvetësim dhe neglizhencë në punë.
NDRYSHIMET NË KODIN PENAL, RRUGË DREJT MOSNDËSHKIMIT
Raporti kritikon ashpër ndryshimet në Kodin Penal të miratuara nga qeveria e mëparshme, të cilat, sipas Strasburgut, kanë çuar në ndërprerjen e një numri të madh çështjesh për korrupsion, për shkak të uljes ose heqjes së dënimeve dhe skadimit të afateve të parashkrimit.
Sipas të dhënave nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, pas këtyre ndryshimeve në vitin 2023: 11 aktakuza janë tërhequr, 5 janë rikualifikuar, në 10 raste procedurat janë ndërprerë për shkak të parashkrimit. Raporti përfundon se këto zhvillime kanë rritur pasigurinë juridike dhe kulturën e mosndëshkimit, ndërsa korrupsioni mbetet problem serioz në sektorë si shëndetësia publike, prokurimet publike dhe burgjet.
STRASBURGU SHPREH KEQARDHJE PËR BLLOKIMIN E RRUGËS EVROPIANE
Edhe pse Strasburgu nuk ka kompetenca direkte në procesin e integrimit evropian, në raport shprehet keqardhje që ndryshimet kushtetuese, me të cilat bullgarët do të përfshiheshin në Kushtetutë dhe do t’i hapej rruga Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, ende nuk janë realizuar. Në këtë kontekst, transmetohet qëndrimi i autoriteteve dhe i disa grupeve parlamentare që ndajnë të njëjtin mendim, sipas të cilit “ky amendament mund të miratohet vetëm me kusht që të hyjë në fuqi pasi Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”. Ajo që konsiderohet interesante është fakti se Strasburgu, ndryshe nga Brukseli, vlerëson se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian po vonohet jo vetëm për shkak të mosmiratimit të amendamenteve kushtetuese, por edhe për shkak të kontesteve “rreth historisë, gjuhës dhe kulturës”. (koha.mk)









