Categories RAJONI

Tragjedia në stacionin hekurudhor në Novi Sad, mes të arrestuarve edhe ministri serb

Ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës së Serbisë, Goran Vesiq është arrestuar bashkë me dhjetë persona të tjerë, në lidhje me shembjen e një strehe në stacionin hekurudhor në Novi Sad në fillim të këtij muaji, si pasojë e së cilës vdiqën 15 njerëz.

Sipas transmetuesit publik Radio-Televizioni Serbi, Vesiq është ndaluar nga policia së bashku me ndihmësen e tij, përgjegjëse për transportin hekurudhor dhe intermodal të mallrave, Anita Dimoski, ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së infrastrukturës hekurudhore serbe, Jelena Tanaskovic dhe paraardhësin e saj, Nebojsha Surlan.

Vesiq në Instagramin e tij megjithatë shkroi se ai nuk ishte arrestuar zyrtarisht por “vullnetarisht iu përgjigj thirrjes nga oficerët e policisë, me të cilët erdha në Novi Sad dhe u vura në dispozicion të autoriteteve hetimore në mënyrë që të gjitha rrethanat që çuan në aksidentin në Novi Sad të hetohen plotësisht”.

Më 01.11.2024, një çati e jashtme në stacionin në qytetin verior serb u shemb, duke lënë 15 të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur rëndë, teksa shkaktoi një seri protestash në qytet, ku kërkohej që zyrtarët të mbajnë përgjegjësi.

Prokuroria e Lartë e Novi Sadit përmes një komunikate për media tha se katër nga personat e arrestuar dyshohen për “Vepër të rëndë kundër sigurisë publike dhe shkaktim të rrezikut publik”, ndërsa shtatë dyshohen për “Vepër të rëndë kundër sigurisë publike dhe kryerja e parregullt e punimeve të ndërtimit”.

Vesiq ofroi dorëheqjen e tij 04.11.2024 , duke thënë se po jepte dorëheqjen për “arsye morale”.

Arrestimet e së enjtes erdhën pasi anëtarët e opozitës në Novi Sad bllokuan ndërtesën e gjykatës së qytetit për dy ditë me radhë, duke kërkuar një hetim të duhur dhe lirimin e njerëzve të arrestuar gjatë një proteste për katastrofën. Bllokada vazhdoi edhe të enjten.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *