Categories VENDI

Zv.kryeministri i RMV: Të ndalohet gjuha shqipe? S’bëhet fjalë, e kemi fituar me luftë!

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai ka deklaruar në emisionin “Ekspres” të gazetarit Nolian Lole në RTSH1 se Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut është e politizuar.

Në këtë mënyrë sipas tij, ka tendenca për të krijuar tensione dhe destabilitet në raportet mes komuniteteve në Maqedoninë e Veriut.

Fetai vuri në dukje se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e vetëdijshme për rolin e saj për të ruajtur raportet mes komuniteteve pasi gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare pas maqedonishtes.

“Gjykata Kushtetuese ka hapur lëndën që nga momenti kur është sjellë ligji aktual për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.

Këto lëndë janë mbajtur në sirtar për 7 vite me radhë dhe në momentin që ndodhi rotacion politik, Gjykata Kushtetuese hapi lëndët që i kishte mbajtur për vite me radhë. Kjo është një tendencë sepse përbërja e Gjykatës Kushtetuese është ajo që ka prodhuar qeverisja paraprake, të cilët kanë kaluar nga bankat e parlamentit në Gjykatën Kushtetuese.

Ka pasur tendencë për të tensionuar raportet mes komuniteteve dhe për të krijuar destabilizim. Urojmë që Gjykata Kushtetuese të jetë e vetëdijshme për rolin e saj, për ruajtjen e mirëbesimit mes komuniteteve sepse çështja e gjuhësisë është e rregulluar me kushtetutë. Gjuha shqipe është pjesë e kushtetutës si gjuhë e dytë zyrtare pas maqedonishtes”, u shpreh Fetai.

I pyetur nëse ka rrezik se gjuha shqipe të ndalohet në Maqedoninë e Veriut, Fetai tha se “jo asesi, shqipja është e betonuar në Kushtetutë, është fituar me luftë, është arritur në kuadër të marrëveshjes së Ohrit e cila është përkthyer në obligime kushtetuese përmes amendamentit 5 të përdorimit të gjuhëve. Këtu nuk ka asnjë rrezik që shqipja të preket si gjuhë zyrtare”.

Ai vuri në dukje se rreziku i vetëm që i kanoset gjuhës shqipe janë vetëm disa nene të ligjit për gjuhët që nuk janë zbatuar.

“Rreziku i vetëm që mund të vijë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i ndërlidhur me disa nene të ligjit të cilat në fakt nuk janë zbatuar. Kemi nenin që kartëmonedhat e Maqedonisë së Veriut duhet të jenë në dy gjuhët, uniformat e ushtrisë e kështu me radhë”, u shpreh Fetai.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *