Një grua 57-vjeçare e diagnostikuar me sëmundje pulmonare obstruktive kronike COPD, ka marrë transplantin e parë të dyfishtë dhe plotësisht robotik në botë të mushkërive. Ky operacion u krye në NYU Langone Health në New York City nga Dr. Stephanie Chang.
“Kjo risi e fundit është një moment vendimtar në kirurgjinë e transplantimit të mushkërive në mbarë botën dhe vetëm fillimi i një epoke të re në kujdesin ndaj pacientëve”, tha Dr. Ralph Mosca, kryetar i kirurgjisë kardiotorakale në Shkollën e Mjekësisë NYU Grossman, në New York.
Bëhet e ditur se Chang dhe ekipi përdorën një robot da Vinci Xi për të kryer transplantin. Ata bënë prerje të vogla midis brinjëve, më pas përdorën robotin për të hequr dhe zëvendësuar mushkëritë e dëmtuara. Siç raportohet, transplanti u krye katër ditë pasi pacientja Cheryl Mehrkar u shtua në listën e transplantit pas muajsh vlerësimi të kujdesshëm.
“Për një kohë të gjatë, më thanë se nuk isha mjaftueshëm e sëmurë për një transplant. Unë jam shumë mirënjohëse për donatorin dhe familjen e tij që më dhanë një shans tjetër për jetë. Jam shumë mirënjohëse për mjekët dhe infermierët këtu që më dhanë shpresë”, përfundoi gruaja. Pacientja, e cila kishte trashëguar një predispozitë gjenetike për sëmundjet e mushkërive, jetonte me COPD që nga diagnostikimi i saj para 14 vitesh.
Por, gjendja e saj në përgjithësi ishte përkeqësuar pas një infeksioni me COVID-19 në vitin 2022. Vetëm katër ditë para operacionit ajo u fut në listën e pritjes dhe më në fund iu dha mundësia për një transplant jetik.