Tiktoku është rrjeti social më i përdoruri nga kosovarët në vitin 2024, thonë të dhënat e publikuara nga “Cloudflare Radar”.
Kjo platformë, që analizon trafikun e internetit në kohë reale dhe i mbledh të dhëna nga përdoruesit e këtij sistemi, ka publikuar edhe renditjen e rrjeteve dhe platformave të tjera. TikToku pasohet nga Google, Facebook, Snapchat, Apple, Youtube, iCloud, Roblox, Instagram.
Në raport tutje thuhet se 53.2 për qind e kosovarëve sivjet shfrytëzuan internetin nga pajisjet iOS të Apple. Në Android operuan 46.8 për qind.
Google mbetet motori kryesor i kërkimit në internet, me 97.2 për qind. Në renditje janë edhe Bing me 1.9 për qind dhe Yahoo me 0.3 për qind. Ndërsa, Chrome është më i madh në Kosovë, me 61.2 për qind.
Cloudflare ka bërë të ditur në raport se Kosova sivjet s’ka regjistruar ndërprerje të madhe të internetit, duke e renditur në mesin e vendeve me internet të sigurt.
Qendra e Ndërprerjes së Radarit thotë se ndërprerje e internetit konsiderohet kur ka fatkeqësi natyrore, ndërprerje e punës së kabllove ose kur autoritetet e shtetit vendosin të ndalojnë lidhjen me internetin.