Categories VENDI

Rasti “Alfa”, Iseni: drejtësi për Agim Islamin do të kërkojmë në Strasburg

Për ta rihapur rastin “Alfa”, Gjykata Penale vetë u kërkoi të dënuarve që super-ekspertiza e videos të bëhet jashtë shtetit, pasi në vend kjo ekspertizë nuk mund të bëhej, e tash e njëjta gjykatë nuk e pranon super-ekspertizën nga Qendra për hulumtime forenzike në Serbi. TV21 siguroi pjesë të saj, që dëshmon se dorasit që kanë kryer vrasjet, nuk janë personat të cilët janë dënuar.

Pamjet filmike të kapura nga kamera e sigurisë këtu në parkingun e Fakultetit Matematiko-Natyror në periferi të Shkupit, janë të pamjaftueshme për Gjykatën Penale për të vërtetuar vrasësit e vërtetë të rastit ‘Alfa’ ku në vitin 2008 ndodhi sulmi ndaj një ekipi të njësitit policor ‘Alfa’ ku njëri mbeti i vrarë dhe dy të plagosur. Por, vrasësit e vërtetë akoma nuk dihen dhe sipas palëve mbrojtëse, personat, të cilët janë të pafajshëm dergjen në burgje dhe njëri prej tyre ka ndërruar jetë derisa po vuanin dënimin me burg të përjetshëm.

I arrestuari e më pas i liruar nga ky rast, Ramiz Dauti habitet pse autoritetet gjyqësore të mos e pranojnë këtë ekspertizë nga jashtë vendit, kur të tjera më herët janë pranuar. 

“Në lidhje me ekspertizën ka pasur dy-tre raste nga Republika e Serbisë, nuk i di detajet t’i them por e fundit është rasti Onkologjikut ku është pranuar video, është përdorur kundër palës të akuzuar dhe ka qenë gjithçka në rregull për shkak se Maqedonia nuk ka kushte nuk mjete, për të bërë kësi ekspertiza i kanë pranuar nga jashtë. Te ekspertiza e jonë kanë ngecur prap këtë që e thash që nuk ka mjete”, tha Ramiz Dauti.

Pala mbrojtëse nuk do ta lërë me kaq. Avokatja Artene Iseini pohon se do të shfrytëzojnë të gjitha mjetet, që gjykata ta pranojë super-ekspertizën. Në të kundërtën do t’i drejtohen gjykatave ndërkombëtare.

“Do ti shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat e parapara me Ligjin e procedurës penale dhe hapi i radhës do të jetë ankimi në Gjykatën e Apelit, dhe shpresoj që shkalla e dytë do ta përmirësoj gabimin e Gjykatës Penale. Pasi të ezaurohen të gjitha mundësitë ligjore, ne do ti drejtohemi Gjykatës së Strazburgut ku do të kërkojmë drejtësi për Agim Islamin”, tha Artene Iseni.

Pas krejt pritjes së gjatë për rigjykim, i dënuari Agim Islami, i cili ka 17 vjet në burg, ndërsa pretendon pafajësinë, vazhdon të mbetet prapa grilave.

Më 22 janar të vitit 2022, Rexhail Qerimi, i cili, gjithashtu ishte i dënuar për këtë rast ndërroi jetë në burgun e Idrizovës. 

Ngjarja ka ndodhur para para 16 vitesh, kur më 26 nëntor u vra polici nga njësiti Alfa, 38 vjeçari Afrim Arifi. Ishin plagosur edhe dy kolegë të tij Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski me të cilët në ato momente kishte qenë në detyrë.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *