Mendimi i ndarë i dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të përkatësisë etnike shqiptare, Dr. Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, lidhur me vendimin e 9 tetorit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e një shtylle kritike të Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit – përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë, ka shqetsuar thelle çdo shqiptarë dhe çdo qytetarë të vendit qe për dallim nga kjo qeveri ende beson në bashkëjetese dhe barazi.
Ajo që lexuam në këtë opinion ka tronditur çdo qytetar paqedashës të këtij vendi, e në veçanti shqiptarët. Kur gjyqtarët thonë në opinionin e ndarë të tyre: “Vendimi është marrë mbi baza etnike, përmes mbivotimit, duke vendosur kundër të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe në kundërshtim me vlerën themelore – të drejtën për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë”.
E konsiderojmë këtë vendim si të paligjshëm dhe me pasoja serioze juridike,”Kjo përbën sulmin më të madh ndaj marrëdhënieve ndëretnike që kujton të gjithë sjelljen e institucioneve në vitet ‘90, kur shqetësimet e shqiptarëve mbivotoheshin, shtypeshin dhe shpesh trajtoheshin me dhunë”.
Më tej, në opinionin e tyre, gjyqtarët theksojnë: “Duam të theksojmë menjëherë se shprehja juridike – përkatësia e komunitetit, është një institucion kushtetues dhe, si e tillë, një kategori kushtetuese”.
Si rezultat, vendimi i lartpërmendur shfuqizon një kategori kushtetuese që lidhet me “përkatësinë e komunitetit”.
Ky është një dëshmi tjetër se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të zbatuar programin partiak të partisë në pushtet është një përpjekje për të ndryshuar karakterin multietnik të rendit kushtetues, që është themeli i konceptit të prezantuar me Marrëveshjen e Ohrit.
Si përfaqësues legjitim të popullit shqiptar, edhe një herë tërheqim vëmendjen për nevojën urgjente për të anuluar menjëherë vendimin e 9 tetorit, pasi ai është i paligjshëm dhe antikushtetues.
Asnjë vendim i Gjykatës Kushtetuese mbi ligjet e miratuara me shumicë të dyfishtë Badenter nuk mund të diskutohet apo miratohet pa pjesëmarrjen dhe dakordimin e përfaqësuesve të atij komuniteti.
Për shqiptarët nuk mund të vendoset pa shqiptarët!
Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i vendosur të mbrojë themelet kushtetuese të rendit multietnik dhe të sigurojë që të drejtat e garantuara me Marrëveshjen e Ohrit të mbeten të pacenueshme.