Ministri për transformim digjital në Maqedoninë e Veriut, Stefan Andonovski, ka sqaruar që me ndryshimet e reja ligjore, dokumentet që do të nxjerrën në formë elektronike do të llogariten si dokumente me vulë, mjafton vetëm të printohen.
“Në Kuvend, shumica ka miratuar ndryshimet në Ligjin për dokumente elektronike. Janë dy nene, ndryshim i vogël, por me rëndësi të madhe. Prej tani, dokumentet elektronike të dhëna nga portali ose ndonjë portal tjetër shtetëror, të cilat janë plotësisht elektronike, do të mund të printohen dhe të shfrytëzohen si dokumente origjinale. Nuk duhet të shkoni t’i vulosni”, deklaroi Andonovski në emisionin “Për ose kundër” në Alfa.
Në emision, Andonovski foli për shërbimet elektronike dhe shërbimet e besueshme, duke sqaruar që qytetarët nuk duhet të shkojnë të nxjerrin dhe paguajnë dokumente nëpër sportelet e institucioneve, por do të mund të kryejnë këto shërbime prej telefonit të tyre. Ai paralajmëroi edhe inspektime nëse qytetarët ankohen se dokumentet e tyre nuk pranohen.
“Me ndryshimet ligjore, ky dokument elektronik i printuar do të ketë rëndësinë e njëjtë sikur të jetë një vulë normale, ashtu që do të mund të shfrytëzohet plotësisht gjithkund ku duhet”, deklaroi Andonovski, duke paralajmëruar edhe sanksione ndaj institucioneve që nuk do të pranojnë këto dokumente elektronike.