Një tërmet i fortë la pas vetes të paktën 95 të vdekur në Tibet të martën dhe la shumë të tjerë të bllokuar, ndërsa dhjetëra dridhje që pasuan tronditën rajonin në lartësi të madhe mbidetare të Kinës perëndimore dhe në Nepal.
Transmetuesi shtetëror CCTV publikoi deklarimet e zyrtarëve rajonal që thanë në një konferencë të shkurtër shtypi se 130 veta janë plagosur.
Video pamjet e transmetuara nga CCTV shfaqën punëtorët e shpëtimit me veshje portokalli duke u ngjitur në grumbuj rrënojash. Media shtetërore tha se mbi 1 mijë shtëpi janë shkatërruar.
Shërbimi Gjeologjik amerikan tha se tërmeti kishte një fuqi prej 7.1 dhe ishte relativisht i cekët në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Kina tha se tërmeti kishte fuqi prej 6.8 shkallësh.
Epiqendra ishte rreth 75 kilometra në verilindje të malit Everest, i cili shtrihet në kufirin ndërmjet Kinës dhe Nepalit. Zona është sizmikisht aktive dhe është vendi ku pllakat e Indisë dhe Euroazisë përplasen dhe shkaktojnë ngritje në malet Himalaje mjaftueshëm për të ndryshuar lartësitë e disa prej majave më të larta në botë.
Rreth 50 dridhje pasuese u regjistruan në tre orët pas tërmetit dhe zona piktoreske e malit Everest në pjesën kineze u mbyll pas tërmetit.
Udhëheqësi kinez Xi Jinping bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme për të shpëtuar njerëzit dhe për të strehuar ata që mbetën pa shtëpi.
CCTV tha se një pjesë e vogël e komuniteteve jetojnë brenda 5 kilometrave nga epiqendra, që është 380 kilometra larg nga Lhasa, kryeqyteti i Tibetit dhe rreth 23 kilometra nga qyteti i dytë më i madh i rajonit, Shigatse, i njohur si Xigaz në kinezisht.
Lartësia mesatare në zonën rreth epiqendrës është rreth 4,200 metra, tha Qendra e Tërmeteve në Kinë në një postim në mediat sociale.
Në Nepal, autoritetet u kërkuan zyrtarëve në zonën malore pranë epiqendrës që të kërkojnë për viktima apo dëme.