Istanbul
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, i vetmi aeroport ndërkombëtar në Kosovë, ndërtimin dhe funksionimin e të cilit e ka ndërmarrë Limak, ka pritur më shumë se 4 milionë pasagjerë në vitin 2024, me një rritje prej 19,2 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm, transmeton Anadolu.
Kompania Limak njoftoi se ky zhvillim, i cili është i rëndësishëm për sektorin e aviacionit në Kosovë, është festuar me një ceremoni të mbajtur në ndërtesën e terminalit të aeroportit, ku morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zv/kryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ministrat e vendit dhe shefi ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Hakan Öztürk.
Aeroporti i Prishtinës, i cili u shërbeu 1.4 milionë pasagjerëve para se Limak të merrte sipërmarrjen, falë ndërtesës së re të terminalit që u hap në vitin 2013 bëri një përparim të rëndësishëm dhe dyfishoi numrin e pasagjerëve në vitin 2024.
Një rol të rëndësishëm në këtë rritje kanë luajtur edhe investimet për zgjerimin e terminalit dhe rritjen e kapaciteteve të realizuara në gusht 2024. Duke rritur numrin e portave të terminalit nga 8 në 12, u sigurua që nga aeroporti të dilnin edhe 1.2 milionë pasagjerë shtesë në vit. Në anën tjetër, në rritjen e numrit të udhëtarëve ka qenë efektiv edhe liberalizimi i vizave për Kosovën në fillim të vitit 2024.
– “Fluturimet janë më komode dhe më të shpejta”
Në njoftimin e kompanisë janë përfshirë qëndrimet e kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se Kosova është bërë një qendër e rëndësishme e aviacionit në rajon dhe një destinacion strategjik turistik.
“Liberalizimi i vizave u jep qytetarëve të Republikës së Kosovës të drejtën për udhëtime afatshkurtra në zonën Shengen. Fluturimet tani janë më komode dhe më të shpejta si për pasagjerët në dalje ashtu edhe për ata që kthehen përmes Aeroportit të Prishtinës. Si rezultat i punës në kohët e fundit, janë ndërtuar objekte shtesë për zhvillimin e transportit ajror dhe janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës së aeroportit. Jemi dëshmitarë të një zhvillimi të rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës, i përgëzoj të gjithë ata që kontribuuan”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Öztürk, shefi ekzekutiv i aeroportit, tha se kjo rritje e konsiderueshme e trafikut të pasagjerëve në Aeroportin e Prishtinës është një tregues i vendosmërisë së tyre për të ofruar shërbime cilësore.
Duke theksuar se ata si Limak kanë bërë investime të konsiderueshme në infrastrukturë në Aeroportin e Prishtinës, Öztürk tha se kanë rritur gjatësinë e pistës nga 2.500 metra në 3.040 metra dhe se me këtë zhvillim që ka rritur ndjeshëm kapacitetin kanë filluar të mirëpresin avionë më të mëdhenj dhe më shumë fluturime.
Öztürk gjithashtu theksoi se ata kanë bërë përmirësime të konsiderueshme në densitetin e pasagjerëve dhe kohën e pritjes para fluturimit dhe kanë fituar vrull të konsiderueshëm në cilësinë e shërbimit.
“Këto përmirësime jo vetëm që kanë rritur efikasitetin, por në të njëjtën kohë kanë pasur një ndikim pozitiv edhe në përvojën e përgjithshme të udhëtimit. Në këtë kuptim, ne jemi krenarë që e bëjmë më të lehtë udhëtimin ndërkombëtar me Aeroportin e Prishtinës dhe jemi të lumtur të kontribuojmë në lidhjen e Kosovës me botën. Ne do të vazhdojmë punën tonë për ta bërë Prishtinën një qendër të rëndësishme në rajon dhe për të përmbushur nevojat e Kosovës. Ne falënderojmë të gjitha palët për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre”, ka deklaruar Öztürk.