Moldavia nuk do të marrë pjesë në “Eurovision Song Contest 2025”, i cili do të mbahet në maj në qytetin zviceran të Baselit.
Kreu i delegacionit moldav të Eurovisionit, Corneliu Durnescu, ka thënë se Moldavia po tërhiqej nga gara pas “një analize të hollësishme të situatës aktuale, duke përfshirë sfidat ekonomike, administrative dhe artistike”.
Ai shtoi se kostot janë të mëdha dhe se tarifa e regjistrimit për Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU) vetëm për transmetuesin moldav arriti në 21.486 euro.
“Na vjen keq që Moldavia ka vendosur të mos marrë pjesë në garën e këtij viti. Na vjen mirë që shikuesit në Moldavi do të mund ta shikojnë transmetimin në televizionin publik moldav dhe shpresojmë shumë që t’i mirëpresim sërish në vitet në vijim”, ka thënë mbikëqyrësi ekzekutiv i Eurovisionit, Martin Osterdahl.
Moldavia do të duhet të paguajë gjobë për tërheqjen e vonuar.
Të gjithë transmetuesit kishin afat deri më 11 tetor 2024 që të tërhiqeshin nga gara pa paguar gjobë.
Bullgaria, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Hungaria janë tërhequr tashmë nga Eurovisioni.