Eksponentë të Qeverisë për çdo ditë po tentojnë të bindin opinionin se po bisedojnë me opinionin për ndryshim të kornizën negociuese, konkretisht për ndryshime kushtetuese me afat të prolonguar. Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikollovski së fundmi tha se nëse negociojmë mirë me Francën, do të arrihet një kompromis për zhbllokimin e procesit euro-integrues
Ersan PAJAZITI
Shkup 27 nëntor – Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me sfidën e zhbllokimit të procesit euro-integrues, ndërsa përfaqësuesi special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin intensifikon përpjekjet për të nxitur dialogun mes Sofjes dhe Shkupit. Në kuadër të një turneu diplomatik, Saracin zhvilloi takime në Sofje me zëvendëspresidenten Ilijana Jotova dhe më pas në Shkup me ministrin e Punëve të Jashtme, Timço Mutsunski, për të diskutuar reformat politike dhe integrimin evropian. “Iu referuam edhe pritjeve nga lidershipi i ri i institucioneve evropiane dhe rolit të tyre në forcimin e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian në periudhën e ardhshme”, theksohet në komunikatën e ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, pa dhënë detaje shtesë se për çfarë konkretisht ka biseduar me Saracinin.
Eksponentë të Qeverisë për çdo ditë po tentojnë të bindin opinionin se po bisedojnë me opinionin për ndryshim të kornizën negociuese, konkretisht për ndryshime kushtetuese me afat të prolonguar. Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikollovski së fundmi tha se nëse negociojmë mirë me Francën, do të arrihet një kompromis për zhbllokimin e procesit euro-integrues. “Nëse mund të punojmë mirë me Francën dhe disa vende të tjera të Evropës Perëndimore, mendoj se argumentet tona mund të pranohen lehtësisht. Nëse kjo ndryshon, jam i bindur se një peshë e rëndë diplomatike nga Evropa Perëndimore do ta zgjidhë problemin për një ditë në Sofje”, tha Nikolloski.
Ndërkohë nga koalicioni VLEN, që është pjesë e pushtetit, thonë se do të presin formimin e Qeverisë në Bullgari, që pastaj të nisin bisedimet për zhbllokimin e procesit euro-integrues të vendit. “Çështjet e formimit të qeverisë në Republikën e Bullgarisë nuk është një çështje që mvaret prej neve. Ne jemi në pritje për formimin e një qeverie atje dhe menjëherë pasi të formohet qeveria në Bullgari ti fillojmë bisedimet dhe ti gjejmë zgjidhje tejkalimit të problemit që e kemi me shtetin e Bullgarisë”, theksoi zëdhënësi i koalicionit VLEN, Driton Sulejmani.
Megjithatë, njohësit e çështjeve ndërkombëtare – këto veprime të Qeverisë së Mickoskit i cilësojnë vetëm si alibi. Analisti Ismet Ramadani për gazetën KOHA thekson se opinioni duhet ta ketë të qartë se janë provuar të gjitha metodat dhe është dakorduar që për nisjen e bisedimeve qasësë për në BE, Maqedonia e Veriut duhet të fut bullgarët në preambulën e Kushtetutës, ndërsa pritjet e Shkupit zyrtar për formimin e qeverisë së re në Sofje janë vetëm shpresë e rrejshme.
“Ndryshimet që priten të ndodhin në Bullgari fare nuk do të ndikojnë që të përmirësohet ky kontest, sepse atje ka një konsensus të betonuar dhe nuk ka kryeministër apo udhëheqës shteti që mund të ndryshojë diçka që do të shkojë në favor të Maqedonisë së Veriut”, vlerëson Ramadani. Më tej, ai thekson se për këtë kornizë negociuese kanë intervenuar edhe aktorët më relevant të politikës botërore.
“Duhet të pranohet një realitet se është biseduar, është negociuar, ta përkujtojë opinionin se në përgatitjen e kësaj kornize kompromisi, kanë ndërhyrë edhe sekretari shtetëror amerikan Blinken, në samitin e Madridit, kanë ndërhyrë presidenti francez Makron, shtetet e Kuintit, kancelari gjerman Sholc dhe i është bërë shtypje atëherë kryeministrit të përkohshëm Radev dhe e fundit që është arritur është që pakica bullgare të futet në Preambulë dhe të pranohet korniza, e cila ka kaluar pëlqimin e 27 shteteve të Bashkimit Europian”, theksoi Ramadani, duke shtuar se nëse dikush mendon që do të vijë një kohë më e mirë për Maqedoninë e Veriut dhe Bullgaria do të jetë në defanzivë – gabon rëndë, pasi pozita e Bullgarisë ka peshën e vet si shtet në aspektin gjeostrategjik.
Përndryshe, ndryshimet kushtetuese me afat të prolonguar i ka provuar edhe Qeveria e kaluar, ka informuar lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, por Sofja nuk ka pranuar në gjë të tillë. “Ne do të mbështesim pozicionin e përmirësuar që do të ofrojë Qeveria. E njoftova presidenten se në kohën e LSDM-së ka pasur tentime për propozim për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar, por atëherë pala bullgare e kryeministrit Petkov nuk e ka pranuar”, ka thënë Filipçe.
Ndërkohë, se Bullgaria nuk lëshon pe në pozitat e saja e ka bërë të ditur edhe nënkryetarja e Bullgarisë Ilijana Jotova gjatë takimit me përfaqësuesin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin.
“Bullgaria kurrë nuk ka devijuar nga korniza e rënë dakord dhe nuk vendos kushte shtesë për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut. Në vend të kësaj, ai pret që Shkupi t’i përmbahet marrëveshjeve evropiane. Këto nuk janë kërkesa bullgare, por kritere evropiane për anëtarësim, kryesorja e të cilave është mbrojtja e të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Jotova, e cila ka theksuar se në vitin 2018, gjatë presidencës bullgare të Këshillit të Bashkimit Evropian, vendi arriti të rikthejë në agjendën e BE-së çështjen e së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor – një proces i ngecur që nga viti 2003. Lidhur me fillimin e negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut, ajo vuri në dukje qëndrimin e prerë të Bullgarisë, të udhëhequr nga konsensusi, që lidhet me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit. (koha.mk)