Disa nga të nominuarit dhe të emëruarit në kabinetin e Donald Trump për administratën e tij të ardhshme janë shënjestruar nga kërcënimet me bombë. Kjo është bërë e ditur nga mediat ndërkombëtare, të cilat citojnë FBI-në.
FBI deklaroi se ishte në dijeni të “kërcënimeve të shumta me bombë”, ndërkohë që Policia po heton ngjarjet.
Zyra e republikanes së Nju Jorkut, Elise Stefanik, të cilën Trump e ka emëruar si ambasadoren e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, tha se ajo kishte marrë një kërcënim me bombë.
Në një deklaratë, Karoline Leavitt, zëdhënëse e ekipit të tranzicionit të Trump, tha se disa njerëz ishin shënjestruar dhe “zbatimi i ligjit veproi shpejt për të garantuar” sigurinë e tyre.
As Leavitt dhe as FBI nuk identifikuan asnjë nga objektivat me emër.
Zyra e Stefanik tha se kongresmenia u informua për një kërcënim me bombë në shtëpinë e saj, ndërsa po udhëtonte me bashkëshortin dhe djalin e saj nga Uashingtoni në Nju Jork për Ditën e Falënderimeve.
Policia e Nju Jorkut deklaroi se shtëpia e të zgjedhurit të Trump për sekretarin e tregtisë, Hoëard Lutnick, ishte gjithashtu e kërcënuar.
Lee Zeldin, të cilin Trump e ka emëruar për t’u bërë administrator i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, konfirmoi gjithashtu se ai ishte në shënjestër, duke thënë se një bombë ishte dërguar në shtëpinë e tij me një “mesazh me temë pro-palestineze”.
“Unë dhe familja ime nuk ishim në shtëpi në atë moment dhe jemi të sigurt”, tha ai.
Mediat amerikane të lajmeve kanë raportuar gjithashtu se republikani nga Florida, Matt Gaetz, i cili u largua nga kandidimi për t’u bërë prokuror i përgjithshëm i SHBA, ishte gjithashtu në shënjestër.