Kur bëhet fjalë për menaxhimin e kolesterolit, ushqimet mund të luajnë rol të rëndësishëm. Por ekziston një ushqim i pasur me proteinë që shquhet për uljen e nivelit të yndyrës së dëmshme në organizëm apo kolesterolit. Bëhet fjalë për arrën.
Arra është shumë e dobishme dhe hulumtimet kanë treguar se konsumimi i rreth 28 deri 56 gramë arra çdo ditë për dy vjet ka ulur yndyrën në gjak dhe kolesterolin e keq që njihet si LDL me rreth 4%.
“Nivelet e larta të kolesterolit LDL, i njohur si i keq, mund të shkaktojnë grumbullim pllakash në arterie, duke rritur rrezikun për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru”, ka thënë dietologia Wendy Bazilian, raporton Eating Well.
Ajo ka cekur se HDL, i ashtuquajturi “kolesterol i mirë”, ndihmon në largimin e yndyrave të dëmshme nga gjaku. E krahasoi atë me kamionët e plehrave që qarkullojnë dhe e kthejnë për eliminim.
Si ndihmon arra në përmirësimin e kolesterolit?
Për dekada, studimet kanë treguar se arroret në përgjithësi, duke përfshirë arrat, mund të ndihmojnë në promovimin e niveleve të shëndetshme të kolesterolit. E gjithë kjo ka filluar në vitin 1993, kur një studim nga Universiteti Loma Linda e vendosi veçanërisht arrën, në hartën e ushqimeve të shëndetshme.
“Që nga ajo kohë, studime të shumta kanë konfirmuar një gamë të gjerë përfitimesh shëndetësore nga arrat”, ka treguar Bazilian.
Pse janë arrat kaq të veçanta në luftën kundër kolesterolit të lartë?
Nuk është vetëm një apo dy lëndë ushqyese që e bëjnë arrën një zgjedhje të shkëlqyer për dietën e uljes së kolesterolit. E gjithë pakoja e tyre ushqyese e bën atë një armë të fuqishme.
Ja disa mënyra të veçanta se si arrat mund ta përmirësojnë kolesterolin:
Burim i fibrave
“Fibrat që përmban arra ndihmojnë në uljen e niveleve të kolesterolit, duke u lidhur me kolesterolin në sistemin tretës dhe duke ndihmuar në eliminimin e tij”, ka thënë dietologia Samantha DeVito.
Të pasura me yndyra të shëndetshme
Arrat janë të mbushura me dy lloje yndyrash të shëndetshme për zemrën. E para është acid alfalinoleik (ALA), yndyrë që luan një rol të rëndësishëm në tretjen e lipideve duke ndihmuar në heqjen e kolesterolit LDL nga trupi.
Të pasura me antioksidantë
Arrat janë të pasura me polifenole, komponime bimore që janë të lidhura me përmirësimin e shëndetit të zemrës. Polifenolët janë antioksidantë që ndihmojnë në neutralizimin e radikaleve të dëmshme, duke reduktuar stresin oksidativ, i cili mund t’i dëmtojë qelizat dhe indet. Ato gjithashtu ndihmojnë në luftimin e inflamacionit, shkaktar i shumë sëmundjeve kronike, përfshirë ato kardiovaskulare.
Mbështetje për shëndetin e zorrëve
Arra ka ndikim pozitiv në shëndetin e zorrëve duke promovuar rritjen e baktereve të dobishme. Këto mikrobe luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm duke ndihmuar në tretje dhe përmirësimin e sistemit imunitar. Hulumtimet sugjerojnë se komponentët bioaktivë në arra ofrojnë mjedis të favorshëm për të ndihmuar bakteret e mira të zorrëve.