Letërnjoftimet me emrin e vjetër të shtetit do të vazhdojnë të vlejnë deri në skadimin e afatit të tyre. Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se kartat e identitetit nuk kanë nevojë të ndryshohen nëse ende kanë afat ligjor dhe me to mund të udhëtohet edhe jashtë shtetit, përkatësisht me shtetet të cilat ka marrëveshje dypalëshe.
“Të gjitha letërnjoftimet të cilat kanë afat në kuadër të afatit kur janë dhënë do të mund të shfrytëzohen me të gjitha ato shtetet me të cilat kemi marrëveshje bilaterale që të mund të kemi hyrje – dalje nga Maqedonia”, tha Pançe Toshkovski – Ministër i Punëve të Brendshme.
Ndërkohë afati që të ndërrohen patentat me emrin e vjetër të shtetit ishte deri më 31 dhjetor 2024, pasi kuvendi miratoi ndryshimet ligjore në Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor. Pak ditë para fund vitit kishte mbi 800 mijë qytetarë të cilët veç më kishin ndryshuar patentat ndërsa me fillimin e janarit të vitit 2025, patentat me emrin e vjetër të shtetit janë të pavlefshëm. Ministri i Punëve të Brendshme apeloi deri tek policia rrugore që në vend të gjobave të japin vërejtje për vozitësit që ende nuk kanë arritur të ndryshojnë lejet e vozitjes dhe i kanë me afat.
“Shumica e lejeve të vozitjes veç më janë zëvendësuar, unë veç më bëra apel deri tek policia se nuk duhet që qytetarët e Maqedonisë të jenë me faj për atë që në të kaluarën ka pasur politikanë që nuk e kanë dashur shtetin. Dhe bëj apel që të respektojnë ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me vërejtje dhe informim për të gjithë ata që do të gjendën me leje të vozitjes e cila ka afat por nuk është në përputhje me ligjin”, shtoi ai.
Përveç afatit që ishte i caktuar për lejet e vozitjes i njëjti ishte edhe për targat e vjetra MK. Ato duhej të ndryshohen me targa të reja NMK ose t’u vendoset ngjitëse me shenjën NMK. Qytetarët mund t’i marrin ngjitëset NMK në të gjitha stacionet e kontrollit teknik./Alsat.mk