Categories BOTA

Biden fal paraprakisht kritikët e Trumpit

Pak para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, presidenti i SHBA Joe Bidenfali paraprakisht një numër kundërshtarësh politikë të pasuesit të tij Donald Trump. Faljet u bënë për imunologun Anthony Fauci, gjeneralin në pension Mark Milley dhe anëtarët e Komitetit të Përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve, që hetuan sulmin në Kapitol të mbështetësve të dhunshëm të Trumpit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Mbrojtje nga “hetimet e pabaza”

Me këto falje parandaluese, Biden dëshiron të shmangë shënjestrimin e kritikëve të Trumpit për hakmarrje nën presidentin e ri. “Dhënia e këtyre faljeve nuk duhet të keqinterpretohet si pranim i veprimeve të gabuara,” tha Biden. “Kombi ynë i detyrohet mirënjohje këtyre nëpunësve publikë për angazhimin e tyre të palëkundur ndaj vendit tonë.” Faljet synojnë t’i mbrojnë ata kundër “hetimeve të pabaza dhe të motivuara politikisht”, tha Bideni.

2021 Biden dhe Fauci ne tryeze duke folur
2021 Biden dhe FauciFotografi: Adam Schultz/Avalon/Photoshot/picture alliance

Kërcënimi i Trumpit

Trumpikishte kërcënuar se do të ndërmerrte veprime në mandatin e tij të dytë kundër atyre që e sulmuan politikisht ose u përpoqën ta bënin përgjegjës për rolin e tij në sulmin ndaj Kapitolit të SHBA më 6 janar 2021. Fauci ishte për gati 40 vjet drejtor i Institutit Kombëtar për Sëmundjet Infektive të SHBA, pjesë e autoritetit shëndetësor amerikan NIH, dhe ishte këshilltari kryesor për mjekësinë i Bidenit deri kur doli në pension në vitin 2022.

Ai ndihmoi në koordinimin e masave kundër pandemisë së koronës dhe shkaktoi zemërimin e Trumpit kur refuzoi të mbështeste pretendimet e tij të paargumentuara. Ai u kthye në shënjestër të urrejtjes dhe të sulmeve nga e djathta, të cilët e fajësuan për mbajtjen e detyrueshme të maskave dhe masa të tjera politike, që sipas tyre shkelnin të drejtat e tyre.

Milley, ish-kryetari i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA, e ka quajtur Trumpin fashist dhe e ka përshkruar me hollësi sjelljen e Trumpit rreth kryengritjes së 6 janarit 2021.

Falje të tjera të Bidenit

Gjithashtu dje, Biden fali pesë persona – një pas vdekjes, sipas Shtëpisë së Bardhë. Dënimet e dy personave të tjerë gjithashtu do të ulen ndjeshëm. “Këta individë të falur kanë dhënë secili kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e komuniteteve të tyre”, thuhet në deklaratë. Asnjë nga të falurit nuk ishte dënuar për akt dhune. Personi që u fal pas vdekjes ishte aktivisti me ngjyrë Marcus Garvey, i cili vdiq në vitin 1940. Aktivisti me famë botërore për të drejtat civile, pas të cilit është emëruar një rrugë në lagjen Brooklyn të Nju Jorkut, u dënua në vitin 1923 për mashtrim me postë, kaloi gati tre vjet në burg përpara se të deportohej në vendlindjen e tij Xhamajka. Edhe sot, gjykimi konsiderohet shumë i diskutueshëm dhe shumë besojnë se ishte i motivuar politikisht.

 Hunter Biden duke hyre ne sallen e nje procesi gjyqesor
Hunter BidenFotografi: Jae C. Hong/AP Photo/picture alliance

Kritika për faljen e djalit të Bidenit, Hunter 

Që më parë, Bideni kishte bërë një numër të konsiderueshëm faljesh. Ai ua konvertoi dukshëm ose uli dënimet gati 2500 personave të dënuar për vepra jo të dhunshme të lidhura me drogën. Në fillim të dhjetorit, falja që i bëri të birit, Hunter (54 vjeç) shkaktoi kritika të forta. Ai kishte pranuar fajësinë për shkelje të ligjit të armëmbajtjes, gjithashtu kishte pranuar fajësinë në një proces të dytë gjyqësor për shkelje të ndryshme tatimore.

E drejta e faljes u lejon presidentëve të SHBA të ulin ose të revokojnë plotësisht dënimet e personave të dënuar sipas ligjit federal, edhe pasi të kenë vuajtur dënimin. Kjo e drejtë shpesh synon të heqë kufizimet ligjore të vendosura ndaj ish-shkelësve dhe të nxisë rehabilitimin e tyre social. Presidentët e ushtrojnë këtë të drejtë veçanërisht shpesh në fund të mandatit të tyre.

tgs/dlf

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *