Categories VENDI

Taravari: Më vjen keq që për skandalin me Onkologjinë nuk ka epilog gjyqësor

Po mundohemi t’i shuajmë zjarret, të cilat i kemi trashëguar dhe me strategji t’i përmirësojmë gjendjet, ndërsa që nga dita e hënë do të sigurohen të gjitha ilaçet, të cilat mungojnë për terapi të pacientëve onkologjikë, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në përgjigjen e pyetjes së deputetëve nga Toni Jarevski në seancën e sotme të Kuvendit, i cili kërkoi përgjegjësi për gjendjet, në të cilat është zhytur shëndetësia publike dhe problemet në Klinikën universitare për onkologji. Taravari fajin e ka adresuar në udhëheqësinë e kaluar dhe ashpër i kritikoi paraqitjet e LSDM-së opozitare, lidhur me rastin e Onkologjisë.

“Unë nuk di se si ministri Filipçe ka fytyrë dhe kredibilitet të paraqitet dhe të kritikojë për diçka që në mandatin e tij ishte skandali më i madh në Ministrinë e Shëndetësisë në 3-4 vitet e fundit. Ajo që ndodhi në Onkologji është skandal par ekselans dhe mua më vjen më keq që ende nuk ka epilog gjyqësor. Ndërkohë, ne tentojmë aty t’i zgjidhim punët dhe ilaçet të mos merren në revers”, tha ministri Taravari.

Ai përmendi se më herët ilaçet e Onkologjisë, të cilat kanë kushtuar shumë, nuk janë furnizuar sipas procedurave dhe siç tha, kjo praktikë do të ndalet.

“Terapia biologjike është shumë e shtrenjtë. Nuk mund ta përshkruajë mjek, kur t’i kujtohet, duhet të ketë konzilium të mjekëve, të cilët do të thonë se këtu duhet të merret terapi. Pse? Kjo është terapi e shtrenjtë që e paguajmë nga buxheti shtetëror dhe duhet ta marrin ato raste, të cilat kanë nevojë. Intervenuam edhe sot, disa nga ato ilaçe onkologjike janë në Klinikën për Onkoloigji. Tjerat nesër do t’i sjellim, pasi shpërndarësve u duhet kohë, e disa të hënën. Të hënën do të jemi 100 për qind të kompletuar”, tha Taravari.

Sipas tij, janë ndërmarrë masa për keqpërdorimin e ilaçeve të shtrenjta, të shiten ose të jepen aty ku nuk ka nevojë për terapi biologjike dhe përmendi se po punohet për një regjistër të të gjithë pacientëve, të cilët kanë nevojë për ilaçe të tilla ose trajtohen me ilaçe të tilla. Ai në përgjigjen e pyetjes së deputetit, tregoi se çka kanë punuar si Qeveri dhe përmendi se mes detyrave të para ka qenë zgjidhja e problemit me stacionit e gazit në kirurgji, spitali në Shtip, kërkesat e sindikatave për paga më të larta dhe plotësimi i listës pozitive të ilaçeve.

Taravari paralajmëroi se në vijim është zgjidhja e çështjes me të punësuarit me marrëveshje në vepër (rreth 1.500), ndërsa, siç tha, 1.200 do të zgjidhen së shpejti.

“Institucionet shëndetësore ndryshojnë sistematizimet, për t’i përshtatur dhe të shpallin konkurs dhe kjo të kalojë administrativisht. Ka leje nga kryeministri dhe deri në fund ose në mes të marsit, mendoj se ky problem do të zgjidhet”, tha Taravari.

Ministri i Shëndetësisë potencoi se po punohet në një strategji, zgjidhje afatmesme dhe afatgjate të shëndeëtsisë. Për planet dhe investimet në Ministri, ai përmendi disa projekte për përmrësimin e disa reparteve, Digjestive, Urologji, Qendrën Urgjente në Qendrën klinike, për spitalet në Kërçovë dhe Shtip, për spitalin në Strumicë dhe Shën Erazmo, për ripajisimin e spitaleve në Gostivar dhe Tetovë.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *