
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk është i kënaqur me rezultatin e Koalicionit për Kosovën Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërsa përjashtoi mundësinë për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai në konferencë për medie të hënën tha se do të reflektojnë për këtë rezultat, por megjithatë, theksoi se nëse bazohen në tërësi të votave opozita i ka fituar zgjedhjet.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën dje (e diel), ndërsa në garë ishin ishin 28 subjekte politike me gjithsej 1280 kandidatë për deputetë.
“E pranoj që rezultati nuk është i mirë. Nuk jam i kënaqur me këtë rezultat. Gjithsesi që do të reflektojmë, unë dhe Aleanca për këtë rezultat i cili nuk është i mirë dhe për fat të keq nuk është i mjaftueshëm me ndihmu Kosovën për këto procese që i kemi para vetës. Ne do të vazhdojmë këtë rrugëtim për me i dhënë Kosovës qeverinë opozitare edhe në këtë rrethanë çfarë jemi. Kisha pas dëshirë që Kosova me pas një rezultat më të mirë të opozitës, megjithatë e vërteta është se opozita ka fituar shumicën e votave krahasuar me partinë në pushtet. Ajo edhe pse katër vite e pak në qeverisje nuk arriti të mbajë votat e veta por humbi një numër të konsiderueshëm të votave të qytetarëve. Kjo është porosi për ne të tjerët që të vazhdojmë rrugën tonë për të ndryshuar qeverinë e vendit”, tha ai.
Haradinaj theksoi se pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje ka dal e para me 41 për qind të votave, opozita mund të formojë qeverinë. Ai u shpreh kategorik kundër koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Është në nderin tim të ndihmoj një qeveri të opozitës. Assesi me Vetëvendosjen dhe zotëri Kurti… Me kënaqësi kishim bashkëpunu me subjektet politike opozitare shqiptare për të krijuar shumicën. Kjo është e mundshme nëse kemi gatishmëri dhe jemi të gatshëm për këtë pa asnjë kusht”, shtoi Haradinaj.
Kreu i AAK-së iu kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë deklarimeve të djeshme të Kurtit, duke e quajtur atë hajvan.
Kurti gjatë festimeve pas rezultateve preliminare iu drejtua opozitës si “hajvana”.
“Ai epitet i shkon atij. Ma hajvan se një kryeministër që pas katër vite në qeverisje ka treguar vica të gjithë fushatën. Ai s’ka treguar një plan konkret dhe s’ka të arritura, por fatkeqësisht ky është realiteti ynë. Qytetarët e Kosovës edhe dje kanë mundur të shohin se kush është ai. Një kryeministër që s’ka mbërritur një rezultat të pritur. Edhe unë s’e kam mbërritur rezultatin e pritur, por e dini ju gjuhën time mbrëmë. Është hera e parë që po përdori një gjuhë të tillë, por si kundërpërgjigje të tij… Ai pse s’ka fitu me dal ashtu të fyjë, bërtit dhe shohim se kemi të bëjmë me një njeri që vërtet është hajvan. Te ne thonë se ‘me i thënë hajvan atij po i hy në hak hajvanëve’”, theksoi Haradinaj.
Në bazë të rezultateve aktuale të KQZ-së me rreth 90 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit me 41.01për qind, pasuar nga PDK-ja me 22.46 për qind, LDK, me 17.66 dhe AAK-ja 7.51 për qind.