
Drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Maqedonisë (RTVM), Marjan Cvetkovski, ka shpjeguar se, edhe pse ligjërisht dhe formalisht kanali i katërt është i hapur për programin në gjuhën shqipe, mungesa e frekuencave është pengesë kryesore për të mundësuar transmetimin 24-orësh. Ai ka deklaruar për media se:
“Ligjërisht dhe formalisht kanali i katërt është i hapur, por për shkak se mungojnë frekuencat, që nuk janë në kompetencën tonë, por të Radiodifuzionit të Maqedonisë, ne nuk mund të emetojmë program në dy kanale të ndryshme. Por, me planin investues që do të ketë Radiodifuzioni i Maqedonisë, pres që ky problem të tejkalohet dhe të mund të kemi një kanal 24-orësh për të gjitha bashkësitë etnike”, tha Cvetkovski.
Nga ana tjetër, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka shprehur angazhimin e tij të plotë për realizimin e projektit që Radio Shkupi të ketë program 24 orë në gjuhën shqipe. Gashi ka thënë:
“Radio Shkupi është një prej trashëgimive më të çmuara të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ku brezat janë rritur dhe emancipuar përmes programeve të saj. Unë do të angazhohem personalisht që ky projekt të realizohet, dhe është kënaqësi të ndihmojmë në zhvillimin e Radios dhe Televizionit.”
Cvetkovski dhe Gashi kanë shprehur optimizëm se, me mbështetje të duhur, ky projekt mund të realizohet, duke siguruar përmirësim të shërbimit mediatik në gjuhën shqipe për komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.