
Versioni me aktorë i animacionit klasik të Disney-t, Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhët, pritej të ishte një sukses, por që para daljes në kinema, është kthyer në një nga filmat më të debatueshëm të vitit 2025. Nga përzgjedhja e aktores kryesore te ndryshimet në histori dhe çështjet politike, filmi ka shkaktuar reagime të ashpra në rrjetet sociale dhe në media.
Një nga polemikat kryesore nisi kur Rachel Zegler, aktore me prejardhje kolumbiane, u përzgjodh për të luajtur Borëbardhën, gjë që u kundërshtua nga ata që prisnin një aktore më “tradicionale” për rolin. Më tej, filmi u kritikua edhe për heqjen e konceptit të xhuxhëve dhe për fokusin në një Borëbardhë më të pavarur, larg imazhit të vajzës që pret princin ta shpëtojë.
Situata u përkeqësua nga komentet politike të aktorëve. Zegler shprehu mbështetje për Palestinën, ndërsa Gal Gadot, që luan Mbretëreshën e Keqe, mbështeti hapur Izraelin. Kjo solli thirrje për bojkot nga të dyja palët, duke e kthyer filmin në një arenë përplasjesh politike dhe kulturore.
Disney ka argumentuar se historia duhet të evoluojë me kohën, por kritikët mendojnë se ndryshimet e bëra janë të tepruara. Nga ana tjetër, fansat e filmit e mbështesin qasjen e re, duke e parë si një hap drejt modernizimit të përrallave klasike. Pavarësisht debateve, suksesi apo dështimi i Borëbardhës do të vendoset nga publiku në kinema./BBC
