Tetova rrezikon të mbetet pa ujë

Tetova rrezikon të mbetet pa ujë për pije. Mungesa reshjeve të shiut dhe borës në njërën anë dhe në anën tjetër, turbullimi i ujit nga burimet e Leshnicës, kanë bërë që qyteti të ketë rreth 140 litra ujë në sekondë më pak se nga ajo që është e nevojshme për ti plotësuar kërkesat e qytetit për ujë të pijshëm, thonë nga Ndërmarrja Publike Komunale, shkruan Alsat.

Ata thonë se janë aktivizuar edhe burimet alternative megjithatë, sasia e ujit vazhdon te jetë 220 litra ujë në sekondë. Si pasojë çezmat në qytetin e Tetovës sot janë pa ujë.

“Kemi mungesë afër 140 litra ujë në sekondë. Me daljen e sistemit të Leshnicës nga përdorimi ne i humbim 140 litra që janë sasia e nevojshme për qytetin. Për momentin kemi 220 litra në total nga gjitha burimet. Restrikcioni është forma më e vështirë e hapit që duhet ta marrim, sepse ballafaqohemi me sistem të vjetërsuar dhe pas çdo ndalese që bëjmë na paraqiten pastaj defekte të mëdha, andaj nuk e bëjmë, shkaku se dhjetë orë pasi bëjmë shpëlarjen e sistemit, humbim shumë andaj është e pakuptimtë. Më tepër do e pësojnë pjesët e epërme të qytetit, apo periferike, edhe pse tentojmë që ata të kenë furnizim të paktën të mbushin depozitat, por do e pësojë edhe gjithë qyteti realisht”, tha Lulzim Ismaili, NPK “Tetova” Tetovë.

“Nga ana tjetër, nga komuna e Tetovës që para dy vitesh kanë paralajmëruar një studim fizibiliteti për një projektim për zgjidhje afatgjate të problemit me ujin për pije në qytetin e Tetovës, megjithatë, deri në këto momente, nuk ka asnjë hap konkret në këtë drejtim. Nga komuna e Tetovës thonë se janë kah fundi i studimit të fizibilitetit, pas çka do kërkohen fonde për realizimin e projektit”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale iu bëjnë thirrje qytetarëve të kenë kujdes me përdorimin e ujit dhe ta përdorin në mënyrë racionale.  / Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *