Dy persona u vunë në pranga pas grabitjes së mbrëmshme të një biznesi në parkun e qytetit të Shkupit.
Sipas policisë, në momentin e mbërritjes së punonjësve të policisë në vend ngjarje, autorët e vjedhjes, me armë zjarri në duar kanë tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes. Punonjësit e policisë kanë qëlluar disa të shtëna paralajmëruese dhe më pas kanë kapur autorët.
Sipas Toshkovskit, personat e armatosur kanë marrë rreth 10 mijë euro nga dyqani para se të vihen në pranga nga policia.
“Gjatë ditës së djeshme, persona të armatosur dhe me bombë fiktive kanë kryer akt grabitje në një objekt në qendër të qytetit nga ku kanë marrë rreth 10 mijë euro dhe me ato para kanë tentuar të largohen nga objekti. Nga ana e MPB-së dhe SPB Shkup dhe njësiti i policisë intervenuese janë kapur personat dhe janë privuar nga liria në vendngjarje dhe ky rast është zbardhur tërësisht”, tha Pançe Toshkovski – Ministër i MPB- së.
Për grabitjen e armatosur reaguan nga LSDM-ja, ku akuzuan ministrin e punëve të brendshme se nuk ka kontroll mbi sigurinë dhe nuk mund të garantojë sigurinë e qytetarëve.
“Si në një film të keq krimi, një grabitje me armë ka ndodhur në mes të Shkupit në një dyqan të njohur të pajisjeve, në parkun e qytetit. Përderisa dyqani ishte ende duke punuar, kriminelët me kapuç në kokë dhe mjete shpërthyese kryen grabitje me armë. Qytetarët nuk janë më të sigurt jo vetëm në rrugë por edhe në dyqane. Siguria e qytetarëve është tërësisht e cenuar për shkak të paaftësisë së Toshkovskit. Sistemi i sigurisë është shkatërruar nga VMRO-DPMNE”, thonë nga LSDM.
Nga LSDM, shtojnë se mbi 20 incidente të armatosura dhe vrasje kanë ndodhur në 5 muajt e fundit. Dhe kjo sipas LSDM-së është rezultat i partizimit të MPB-së dhe aparatit të sigurisë për interesat politike të Mickoskit dhe DPMNE-së. Ndërsa shtojnë se Toshkovski është ministri më i paaftë në historinë e vendit dhe se duhet të japë dorëheqjen.