Categories VENDI

Maqedonia e Veriut duhet ta kuptojë se nuk është në interes të saj të krijojë probleme

Athinë, 1 dhjetor – Besoj se Maqedonia e Veriut do të kuptojë se nuk është në interes të saj të insistojë në qëndrimin që krijon probleme me fqinjin e saj më të madh, i cili gjithashtu është edhe investues i madh në vend dhe prej të cilit pret mbështetje në rrugën evropiane. Kështu tha kryeministri grek, Kiriakos Micotakis në intervistë për televizionin “Antena”, duke folur për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, ndërsa edhe njëherë e përsëriti pozicionin se pret qëndrim të qartë nga kreu shtetëror dhe politik se e respekton Marrëveshjen e Prespës.

Micotakis tha se në Ballkan, për fat të keq, “ende ekzistojnë forca të cilat konsiderojnë se do të kenë dobi politike nëse i trazojnë shpirtrat e fjetur të nacionalizmit ballkanik”, duke shtuar se kjo “në masë të madhe ndodhi me Qeverinë aktuale të Maqedonisë së Veriut, dhe në periudhën parazgjedhore, por deri në një shkallë të caktuar edhe pas zgjedhjeve”. I përsëriti pozitat për Marrëveshjen e Prespës që i kishte para se Demokracia e Re të vinte në pushtet dhe edhe njëherë theksoi se “emri i shtetit është Maqedonia e Veriut, kjo nuk kontestohet, pa dallim nëse paraqitet jashtë apo emri përdoret për përdorim të brendshëm”.

“Maqedonia e Veriut nuk mund t’i ikë këtij parashikimi. Shoh se në dy muajt e fundit Qeveria deri në një shkallë të caktuar e kuptoi këtë. Ajo që pres, jo vetëm unë, sepse çështja nuk është bilaterale, i referohet edhe Evropës, deri në një shkallë të caktuar i përket edhe NATO-s, është deklaratë shumë e qartë e kreut shtetëror dhe politik se respektimi i Marrëveshjes së Prespës është i plotë dhe se emri i vendit është Maqedonia e Veriut, pa dallim nëse e përdorin jashtë apo brenda vendit. Besoj se po lëvizim në drejtim të vërtetë”, tha Micotakis. Në pyetjen e gazetarit nëse duhet Greqia “t’i informojë më intensivisht aleatët për qëndrimin e Maqedonisë së Veriut”, Micotakis u përgjigj shkurt se tashmë e kanë bërë atë.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *