Categories VENDI

Ndotja po vret, partitë në kërkim të fajtorit!

Disa qytete në vend vazhdojnë të kenë nivele të larta të ndotjes së ajrit. Shkupi përsëri është kampion në Europë për ajër të ndotur, ndërsa gjendja është alarmante në Strumicë. Përderisa qytetarët vazhdojnë të thithin ajër të ndotur, partitë politike në vend të ofrimit të zgjidhjes, vazhdojnë të drejtojnë gishtin ndaj njëra-tjetrës duke kërkuar fajtorin

Ersan PAJAZITI

Shkup, 8 janar – Shkupi vazhdon të jetë është në mesin e qyteteve me ndotjen më të lartë të ajrit në botë. Sipas tabelës së platformës për matjen e ndotjes së ajrit “IQ Air”, dje në orën 09:45, Shkupi ishte renditur në vendin e shtatë në botë dhe në vendin e parë si qyteti më i ndotur në Evropë. Me vlerën e nivelit të grimcave të dëmshme PM prej 164 njësi, ajri në Shkup është në kategorinë e shënuar me ngjyrë të kuqe si ajër “i pashëndetshëm”. E përderisa qytetarët vazhdojnë të thithin ajër të ndotur, i cili rrezikon në mënyrë të skajshme shëndetin e tyre, partitë politike në vend të ofrimit të zgjidhjes, vazhdojnë të drejtojnë gishtin ndaj njëra tjetrës për atë se kush është fajtor për ndotjen e ajrit.

Sipas LSDM-së, përderisa qytetarët po “ngulfaten”, shqetësuese është ajo se qeveria nuk po merr asgjë kundër ajrit të ndotur. Socialdemokratët thonë se është e habitshme dhe në të njëjtën kohë shqetësuese se si Qeveria e VMRO-së e injoron ndotjen me shumë lehtësi dhe nuk bën asgjë.

Sipas partisë së Venko Filipçes, pushteti nuk po realizon premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore. “Kur ishte në opozitë, DPMNE shpalli mbi 1 miliard euro për investime në ajër të pastër dhe ulje të ndotjes me 50%. Si qeveri DPMNE nuk po merr asgjë tani. Kanë kaluar 7 muaj, nuk ka asnjë masë kundër ndotjes. Gjithashtu, qeveria uli me 51% paratë për luftën kundër ndotjes së ajrit dhe në buxhetin e vitit 2025 nuk përfshihen programet mjedisore që zbatohen me sukses prej vitesh. Asnjë amendament i LSDM-së për projekte mjedisore dhe rritje të parave për luftimin e ndotjes nuk është pranuar nga qeveria.”, theksojnë nga LSDM, nga ku bënë thirrje që “Qeveria duhet të ndryshojë menjëherë politikat e saj të gabuara dhe të ndërmarrë hapa seriozë për të luftuar ndotjen”. Sipas LSDM-së çdo ditë vonesë nënkupton edhe më shumë rrezikim të shëndetit dhe jetëve të bashkëqytetarëve tanë.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE reagon duke thënë se me çdo deklaratë në drejtim të ndotjes së ajrit, LSDM vetëm konfirmon paaftësinë e tyre dhe faktin se gjatë qeverisjes së tyre shtatëvjeçare nuk kanë bërë asgjë për të ulur ndotjen e ajrit.

“LSDM në shtatë vite pushtet, po të ishte kujdesur për ajrin e ambientit dhe mjedisin, aq sa u interesua për ngritjen e tenderëve të dyshimtë nga të cilët përfitonin miliona, rezultatet e para do të ishin parë tani. Sepse është e qartë për të gjithë se ndotja e ajrit nuk është një problem që zgjidhet me zgjidhje të shpejta nga sot në nesër, por është një problem që kërkon zgjidhje sistematike që japin rezultate në planin afatmesëm dhe afatgjatë.”. Nga VMRO-DPMNE theksojnë se ajrin nuk mund ta pastrojnë menjëherë me shkop magjik, por se do të angazhohet për një strategji afatgjatë dhe sistematike që realisht do të ulë ndotjen. Për këtë qëllim është i nevojshëm ndryshimi i mënyrës së ngrohjes së banesave, që nënkupton më shumë shfrytëzimin e lëndëve djegëse ekologjike, duke përfshirë edhe ngrohjen qendrore, dhe për këtë arsye është e nevojshme të ndërtohen termocentrale me gaz. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE është duke punuar intensivisht në ndërtimin e termocentraleve të tilla të gazit dhe tashmë ka një investitor të interesuar”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.

Përderisa përplasjet politike vazhdojnë, ndotja e ajrit vazhdon të merr jetë njerëzish. Sipas të dhënave të UNICEF-it, 11.6% e vdekjeve të të porsalindurve në vend lidhen me ndotjen e ajrit, që do të thotë se çdo i nëntë fëmijë i vdekur nën një vjeç vdes nga ndotja e ajrit. Ndërkohë raporti i Bankës Botësore i publikuar javë më pare tregoi se 2800 persona mesatarisht në vjet ndërrojnë jetë si pasojë e ndojtes së ajrit. Alarmin për ndotjen e ajrit e kanë dhënë edhe shoqatat ambientaliste, të cilat në periudhën paraprake kanë organizuar marshe protestuese, përmes të cilave kanë bërë kërkesat e tyre drejtuar Qeverisë për masa ndaj ndotjes së ajrit.

“Kërkesa e parë është monitorimi i vazhdueshëm publik i objekteve industriale për të ditur saktësisht se kush dhe si ndot. Kërkesa e dytë ka të bëjë me ngrohjen ekologjike të objekteve si Klinika e Fëmijëve në Kozle, e cila ende ngrohet me mazut. Kërkesa e tretë është ti jepet përparësi transportit publik dhe biçikletave mbi makinat dhe kërkesa e katërt është një menaxhim më i mirë i mbetjeve”, kanë thënë nga “Qyteti i Gjelbër Human”.

Alarmante është situata edhe në Strumicë. Për banorët e Strumicës është ndezur sërish alarmi, pasi dy ditë radhazi është tejkaluar pragu i grimcave të varura me madhësi deri në 10 mikrometra. Si pasojë e kësaj, Ministria e Mjedisit ka rikthyer rekomandimet në Strumicë për intensifikimin e kontrolleve të jashtëzakonshme për korrektësinë teknike të automjeteve, veçanërisht ato me naftë dhe automjetet e paregjistruara, si dhe për intensifikimin e kontrolleve të jashtëzakonshme në kantieret e ndërtimit.

“Ndalohet gjithashtu djegia e hapur dhe të gjithë subjekteve juridike u rekomandohet që të lehtësojnë nga puna gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, infarkt të mëparshëm të miokardit ose goditje në tru, pavarësisht nga mosha, me rekomandimin e mjekut të familjes. Rekomandohet të gjithë subjekteve juridike që të riorganizojnë orarin e punës dhe personat që punojnë jashtë të punojnë nga ora 11 deri në 17, si dhe të mos organizojnë gara sportive dhe ngjarje të tjera kulturore në natyrë”, theksojnë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa vlerësojnë se për në Shkup ende nuk është plotësuar kushti për shpalljen e gjendjes së alarmit për shkak të ajrit të ndotur.

“Për momentin kufirin e alarmit e kemi tejkaluar vetëm në Strumicë. Sipas Urdhëresës, në Shkup duhet të ketë së paku dy pika matëse për 2 ditë rresht me një përqendrim mesatar ditor prej PM10 mbi 150 mikrogramë për metër kub. Aktualisht vetëm në pikën matëse në Lisiçe janë dy ditë radhazi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. (koha.mk)

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *