Ajsbergu më i madh në botë, A23a, është në lëvizje dhe po drejtohet nga Antarktiku drejt ishullit të largët britanik South Georgia, i cili është një strehë për kafshët e egra. Ky ajsberg mund të përplaset në tokë dhe të thyhet në pjesë.
Ajsbergët janë shumë të paparashikueshëm dhe askush nuk e di me saktësi se çfarë do të ndodhë. Megjithatë, nëse A23a arrin te ishulli South Georgia, ai mund të shkaktojë probleme për kafshët e egra, sepse mund të bllokojë rrugët e tyre drejt ushqimit.A23a është një nga ajsbergët më të vjetër në botë, aq i madh sa mund të shihet nga hapësira. Ai u shkëput nga akulli Filchner në Antarktik në vitin 1986, pastaj mbeti i bllokuar në fundin e detit dhe u kap në një vorbull oqeanike. Megjithatë, në dhjetor u lirua dhe filloi udhëtimin e tij të fundit.
Ujërat më të ngrohta të veriut të Antarktikut po shkrijnë dhe dobësojnë shkëmbinjtë masivë, ndërsa pamjet e fundit satelitore tregojnë se ai është ende gjigant. Por, çdo ditë mund të shpërbëhet në copa të mëdha, të cilat mund të qëndrojnë për vite dhe të notojnë përreth si “qytete akulli”.
Ky territor është shtëpi për koloni pinguinësh mbretërorë, miliona foka dhe elefantë deti, raporton euronews.
“South Georgia ndodhet në ‘korridorin e ajsbergëve’, kështu që do të ketë ndikime në peshkim dhe jetën e egër, megjithatë të dyja kanë një aftësi të jashtëzakonshme për t’u përshtatur”, tha Mark Belchier, ekolog detar.
Ndërkohë që Antarktiku bëhet më i paqëndrueshëm për shkak të temperaturave më të ngrohta të ujit dhe ajrit, pjesë gjithnjë e më të mëdha të akullit do të shkëputen. Një ekip shkencëtarësh britanikë u afrua pranë ajsbergut A23a gjatë vitit 2023 për të studiuar ndikimin e ajsbergëve masivë në mjedis. Ata futën anijen në një çarje të murit të ajsbergut, dhe studiuesja Laura Taylor mblodhi mostra uji.
“Pashë një mur të madh akulli, shumë më të lartë se unë. Ishte me ngjyra të ndryshme në vende të ndryshme, dhe copa binin në ujë. Nuk ishte thjesht ujë që ne pimë, por i mbushur me lëndë ushqyese, kimikate dhe kafshë të vogla si fitoplanktoni, që janë të ngrira”, tha Taylor. Ajo po studion ndikimin e këtij uji në ciklin e karbonit në Oqeanin e Jugut.
Teksa shkrihet, ajsbergu lëshon të gjitha këto në ujë dhe ndryshon kiminë e oqeanit. Kjo mund të ndihmojë në depozitimin e më shumë karbonit thellë në oqean, duke “mbyllur” disa nga emetimet e CO2 që kontribuojnë në ndryshimet klimatike.
Shkencëtarët shpresojnë që ajsbergu të qëndrojë larg ishullit.
Simon Wallace, kapiteni i anijes “Pharos” që i përket qeverisë së South Georgias, tha se do të ishte shumë i lumtur nëse ajsbergu “do t’i anashkalonte plotësisht”.
© SYRI.net