Bashkimi Evropian nuk është deklaruar asnjëherë nëse i mbështet ose jo kërkesat e studentëve në Serbi, të cilët, për gati tre muaj, protestojnë duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Zyrtarët e BE-së kanë bërë deklarata vetëm pas pyetjeve të gazetarëve për situatën në Serbi dhe ato kanë pasur të bëjnë kryesisht me të drejtën demokratike për të protestuar, apo me nevojën për të lejuar punën e papenguar të gazetarëve dhe të aktivistëve të shoqërisë civile.
Për kërkesat konkrete të studentëve, gazetarët nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, i ngarkuar me procesin e zgjerimit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të shqetësuar për incidentet kundër protestuesve dhe se presin hetime të shpejta nga ana e autoriteteve serbe.
Ai u ka kujtuar atyre se e kanë detyrim t’i mbrojnë pjesëmarrësit në tubime nga lëndimet apo dhuna.
“Pjesëmarrja e qytetarëve luan një rol jetik në zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme dhe demokratike, duke përfshirë promovimin e transparencës dhe llogaridhënies. Këto janë vlera bazë të Bashkimit Evropian dhe Bashkimi Evropian pret që të gjitha vendet kandidate t’i përqafojnë ato”, ka thënë Mercier.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve relevantë në Serbi që ta zgjidhin situatën përmes dialogut dhe të përmbahen nga përshkallëzimi i tensioneve.
“Të gjithë aktorët politikë duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog politik ndërpartiak. Kjo do të mundësojë që vëmendja dhe energjia të ridrejtohen drejt përfundimit të reformave në fushat e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, si dhe harmonizimit me rregullat e BE-së, në mënyrë që procesi i pranimit të Serbisë në BE të përshpejtohet”, ka thënë Mercier.
Ditëve të fundit, reagimi i vetëm i qartë dhe i ashpër nga BE-ja ka ardhur pas dëbimit të një grupi aktivistësh të shoqërisë civile më 22 janar, të cilët kanë qenë në Beograd si pjesëmarrës në një konferencë ndërkombëtare. Por, edhe në atë rast, zyrtarët evropianë i kanë anashkaluar kërkesat e studentëve.
Deputetët evropianë me qëndrime më të hapura
Ndryshe nga Bashkimi Evropian, ku çdo qëndrim zyrtar duhet të miratohet nga 27 kryeqytetet e shteteve anëtare, anëtarët e Parlamentit Evropian kanë liri më të madhe për të shprehur pikëpamjet e tyre, të cilat, në përgjithësi, paraqesin edhe pikëpamjet e grupeve politike që ata i përfaqësojnë në këtë institucion.
Grupi i dytë më i madh politik në PE – Socialdemokratët Evropianë – ka shprehur hapur solidaritet me kërkesat e studentëve.
“Grupi mbështet me vendosmëri të drejtën e popullit për të protestuar dhe dënon fuqishëm të gjitha aktet e frikësimit, dhunën ndaj demonstruesve dhe shtypjen e shtetasve të huaj”, thuhet në deklaratën e Socialdemokratëve.
Megjithatë, grupi më i madh në PE, Partia Popullore Evropiane (EPP), ku anëtare e asociuar është Partia Përparimtare Serbe (SNS) e kryeministrit në largim të Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka një qëndrim të vakët kur bëhet fjalë për krizën brenda Serbisë.
“Studentët dhe qytetarët e Serbisë kanë të drejtë në demonstrata paqësore. Autoritetet në Beograd duhet të dëgjojnë mesazhin e qytetarëve dhe, kështu, të nisin një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv të dialogut me të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Serbisë nuk i duhet radikalizim, por dialog, paqe dhe përkushtim ndaj reformave evropiane”, ka thënë Davor Ivo Shtier, deputet i Partisë Popullore Evropiane, për Radion Evropa e Lirë.
Kjo deklaratë, sipas tij, është koordinuar me të gjithë përgjegjësit si në klubin e EPP-së, ashtu edhe në parti.
Në anën tjetër, Grupi i Gjelbër Evropian në Parlamentin Evropian është i mendimit se Serbia është në krizë të thellë dhe se vendi është në një pikë kthese.
“’Korrupsioni vret’ nuk është thjesht një slogan proteste, por një thirrje e madhe për ndihmë, sepse SNS-ja në pushtet ka kapur plotësisht policinë, gjyqësorin dhe median – institucione që supozohet se duhet të mbrojnë demokracinë, por ato po i pengojnë hetimet e pavarura”, ka thënë eurodeputeti nga të Gjelbrit, Vlladimir Prebilliç, nga Sllovenia.
Sipas tij, protestat e tilla, që rrallë janë parë në historinë e Serbisë, janë “thirrje për drejtësi dhe normalitet në një vend të shkatërruar nga korrupsioni i shfrenuar, kufizimet mediatike dhe shtypja e kundërshtarëve”.
Ai ka bërë thirrje për plotësimin urgjent të të gjitha kërkesave të studentëve.
“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Komisionit Evropian që ta kuptojë seriozitetin e kësaj krize”, ka shtuar Prebilliç.
Picula: Rënia e Qeverisë, pasojë e presionit në rritje nga publiku
Studentët dhe qytetarët e tjerë të Serbisë kërkojnë përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe penale për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.
Aktualisht, ndaj 13 personave janë duke u zhvilluar procedura penale.
Gati tre muaj pas tragjedisë dhe protestave të vazhdueshme, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriq, kanë dhënë dorëheqje.
Këtij akti i ka paraprirë edhe një sulm ndaj një grupi studentësh në Novi Sad.
Komisioni Evropian nuk e ka komentuar dorëheqjen e kryeministrit, duke vlerësuar se kjo është çështje e brendshme politike në Serbi.
Tonino Picula, raportues për Serbinë në Parlamentin Evropian, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rënia e Qeverisë serbe është rezultat i presionit të vetë qytetarëve të vendit.
“Rënia e Qeverisë serbe, në radhë të parë, është pasojë e presionit në rritje ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit nga publiku vendas, i cili është mobilizuar spontanisht dhe është udhëhequr nga studentët, e jo nga ndonjë dorë e padukshme nga jashtë, siç e ka prezantuar kryeministri i dorëhequr”, ka thënë Picula.
Ai ka shtuar se beson se disa prej politikanëve më me ndikim nga vendet anëtare të BE-së, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e kanë mbështetur hapur presidentin serb.
“Presidentët dhe kancelarët i kanë ofruar Vuçiqit kontrata për blerjen e avionëve luftarakë, për ndërtimin e termocentraleve bërthamore ose partneritete për mihjen e litiumit. Dhe këto për një regjim që tregon përbuzje të hapur ndaj vlerave evropiane, por jo ndaj mjeteve evropiane”, sipas Piculës.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë ka shtuar se ky institucion ka shprehur gjithmonë interesim për rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe gatishmëri për ta ndihmuar atë në atë rrugë.
“Mbetet të shihet se çfarë do të mbizotërojë në të ardhmen e afërt: a do të mbetet e pandryshuar mbështetja politike dhe financiare për autokracinë, edhe pas rënies evidente të modelit aktual të qeverisjes së Serbisë, apo do të mbizotërojë këmbëngulja në standardet e demokracisë liberale, pa të cilat nuk ka përparim në negociata, e sidomos drejt BE-së”, ka përfunduar Picula. /REL/