
Në Shkup u shënua 82 vjetori i dëbimit të hebrenjve maqedonas në kampin nazist të vdekjes Treblinka. Ngjarja e mbajtur para Monumentit të 7,144 hebrenjve maqedonas të dëbuar në “Monopol” të Shkupit, mblodhi së bashku përfaqësues të udhëheqjes shtetërore, trupit diplomatik, komunitetit hebre dhe sektorit të shoqërisë civile.
Kryeministri Hristijan Mickoski në fjalën e tij theksoi se ngjarjet historike si Holokausti nuk duhet të harrohen, duke theksuar rëndësinë e edukimit të të rinjve për këto ngjarje tragjike. Ai deklaroi se “nuk do të lejojmë që historia të përsëritet” dhe bëri thirrje për luftë kundër të gjitha formave të intolerancës dhe urrejtjes.
“Detyrimi ynë sot është të mos heshtim përballë padrejtësisë, të ruajmë të vërtetën dhe të luftojmë kundër çdo forme urrejtjeje dhe diskriminimi. Maqedonia është një vend i diversitetit dhe komuniteti hebre, megjithëse pothuajse i shkatërruar në Holokaust, mbetet pjesë e historisë, kulturës dhe ndërgjegjes sonë. Ndërsa qëndrojmë këtu, le të betohemi se kjo tragjedi nuk do të harrohet kurrë. Kurrë më!”, tha Mickoski.
Veprimtaria u organizua në bashkëpunim me komunitetin hebre në Maqedoninë e Veriut dhe pjesëmarrësit i bënë homazhe mbi 7000 hebrenj maqedonas të cilët u deportuan në kampin e përqendrimit Treblinka në mars 1943, ku u vranë pothuajse të gjithë.
Në ceremoni, ndër të tjera, morën pjesë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Aggeler, si dhe zëvendësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Daniel Filler. Në deklaratat e tyre përfaqësuesit diplomatikë theksuan se mbeten të përkushtuar në luftën kundër antisemitizmit dhe ruajtjes së kujtesës, me mesazhin se “Kurrë më” bota nuk duhet të lejojë krime të tilla.