Categories BOTA

Vihet në pikëpyetje rikandidimi i Scholzit për kancelar të Gjermanisë

Udhëheqësit e Social Demokratëve në pushtet në Gjermani do të takohen të martën në mbrëmje për të diskutuar nëse Olaf Scholzi duhet të rikandidojë si kandidat i partisë për kancelar në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme, ka thënë një burim i njohur me çështjen për Reuters, duke konfirmuar raportet në mediat gjermane.

Ndryshe nga rivalët e tyre, socialdemokratët e qendrës së majtë të Scholzit nuk e kanë nominuar ende zyrtarisht kandidatin e tyre për kancelar në votimin e pritur më 23 shkurt. Dhe kjo po gjeneron spekulime të vazhdueshme se partia mund të zgjedhë të kandidojë me ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius, i cili gëzon popullaritet më të lartë. 

Dy ligjvënës me ndikim kanë thënë të hënën vonë se “gjendja aktuale e Scholzit është e lidhur fort me … koalicionin” që ai drejtoi derisa u shemb dy javë më parë pas një mosmarrëveshjeje rreth mënyrës se si të ringjallet ekonomia e stagnuar e Gjermanisë.

Wiebke Esdar dhe Dirk Wiese, të cilët drejtojnë një grup ligjvënësish socialdemokratë nga North Rhine-Westphalia, shteti më i populluar i Gjermanisë, kanë thënë në një deklaratë se një debat është duke u zhvilluar në rrethet e ligjvënësve.

“Në qendër është pyetja se cili është formacioni më i mirë politik tani për këto zgjedhje. Ne po dëgjojmë shumë komplimente për Boris Pistorius. Është e qartë se në fund të fundit komisionet e partisë do të vendosin për çështjen e kandidaturës për kancelar”, kanë deklaruar ata.

Popullariteti i Scholzit ka rënë së bashku me koalicionin e tij me të Gjelbërit mjedisorë dhe Demokratët e Lirë pro-biznesit, të cilët fituan një reputacion për mosmarrëveshjet dhe komunikimin e dobët ndërsa duhej të punonin për të forcuar ekonominë e dobët. Problemet mes tyre u ashpërsuan më 6 nëntor, kur Scholzi shkarkoi ministrin e Financave, Christian Lindner dhe Demokratët e Lirë të Lindner u larguan nga qeveria.

Scholzi planifikon të thërrasë një votëbesimi në parlament për 16 dhjetor. Ai pritet ta humbasë atë, duke i hapur rrugën presidentit të Gjermanisë që të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhjet e reja për më 23 shkurt.

Scholzi e ka bërë të qartë prej muajsh se synon të kandidojë për një mandat të dytë.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *