Categories BOTA

Dëmtimi i dy kabllove në detin Baltik, Gjermania hedh dyshime për sabotim

Gjermania thotë se dy kabllo komunikacioni nën detin Baltik ka shumë gjasa të jenë dëmtuar me qëllim. Dy kabllo me fibra optike – njëri që lidh Finlandën me Gjermaninë dhe tjetri që lidh Suedinë me Lituaninë – pushiuan së funksionuari të dielën dhe të hënën, një kujtesë e incidenteve të mëparshme të sigurisë në rrugët ujore të prekura nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha të martën se askush nuk mund ta besojë që dëmtimi i dy kabllove është aksidental.

“Duhet të arrijmë në përfundimin, edhe pa e ditur saktësisht se kush e bëri një gjë të tillë, se është një goditje hibride. Po ashtu duhet të supozojmë, pa e ditur për momentin natyrisht, se bëhet fjalë për sabotim”.

Dëmtimi u zbulua të hënën në kabllon C-Lion1, rreth 1200 kilometra e gjatë që shtrihet nga kryeqyteti finlandez, Helsinki, deri në qytetin port të Gjermanisë, Rostock. Edhe një kabllo tjetër mes Lituanisë dhe Suedisë u dëmtua.

Duke folur me gazetarët në Bruksel, zoti Pistorius tha se situata e mbrojtjes në Evropë është e rrezikuar jo vetëm nga kërcënimi ushtarak por edhe nga ai hibrid që paraqet Rusia.

“Kjo do të thotë që duhet të jemi vigjilentë për mbrojtjen e përgjithshme, jo vetëm atë ushtarake. Dëmtimi i dy kabllove është një kujtesë e mëtejshme për një gjë të tillë. Një shenjë shumë e qartë se diçka po ndodh këtu”, tha ai.

Ministritë e Jashtme të Finlandës dhe Gjermanisë thanë të hënën në mbrëmje se dëmi ngrinte dyshime për sabotim. Në një deklaratë ato u shprehën se dy vendet po hetojnë incidentin dhe se është thelbësore që të mbrohet kjo “infrastrukturë kritike”.

Zoti Pistorius u pyet edhe për bisedën telefonike të së premtes mes kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit rus Vladimir Putin.

“Kjo telefonatë vërtetoi se Putini nuk është i gatshëm të negociojë për asgjë. Të gjithë në Gjermani apo në vendet e tjera në Evropë duhet të kuptojnë se nuk është koha për të folur për paqen, sepse sigurisht që të gjithë duam paqe, por Putini nuk e do një gjë të tillë”.

Telefonata u kritikua ashpër nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, por zoti Pistorius tha se komunikimi është gjithmonë i rëndësishëm./VOA

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *