Categories BOTA

Trazira në Gjeorgji, policia akuzohet për brutalitet kundër protestuesve

Policia gjeorgjiane përdori përsëri gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë protestuesit mëngjesin e së mërkurës në kryeqytetin Tbilisi, duke nxitur bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë një grup ligjvënësish amerikanë me ndikim, t’i dënojnë veprimet e saj.

Në natën e gjashtë radhazi të protestave në kryeqytetin gjeorgjian, demonstruesit u zhvendosën nga qendra Rustaveli Avenue në një stacion metroje aty pranë, pasi forcat e sigurisë ua bllokuan hyrjen në ndërtesën e Parmanetit dhe i arrestuan disa prej tyre.

Gjeorgjia është tronditur nga protestat prej kur partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, njoftoi javën e kaluar se do t’i pezullojë bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Pavarësisht protestave në rritje, kryeministri Irakli Kobakhidze nuk ka pranuar të zmbrapset dhe ka kërcënuar se do t’i ndëshkojë kundërshtarët politikë, të cilët i akuzon për dhunën që ka ndodhur gjatë protestave.

Forcat e sigurisë filluan t’i shpërndajnë demonstruesit që ishin mbledhur para ndërtesës së Parlamentit, pasi Ministria e Brendshme deklaroi se disa prej tyre kishin fyer oficerët e zbatimit të ligjit dhe kishin hedhur sende të forta, fishekzjarrë dhe lëndë të ndezshme në drejtim të tyre.

Tre senatorë amerikanë me ndikim – bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit në SHBA, senatori Ben Cardin (demokrat nga Meriland), Roger Ëicker (republikan nga Misisipi) dhe John Cornyn (republikan nga Teksasi), lëshuan një komunikatë të përbashkët në mbështetje të protestuesve gjeorgjianë dhe dënuan përdorimin e tepruar të dhunës nga Qeveria.

“Vendimi i Ëndrrës Gjeorgjiane për t’i braktisur negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është një tradhti e madhe ndaj dëshirës së qartë dhe të madhe të popullit gjeorgjian për t’i përqafuar vlerat dhe institucionet evropiane”, thanë tre senatorët.

“Kjo nuk është sjellja e një qeverie të angazhuar për reforma demokratike dhe pluralizëm, por e një regjimi të pasigurt që po e tërheq Gjeorgjinë drejt një autokracie në stilin rus. Këto veprime shkelin hapur normat demokratike ndërkombëtare dhe minojnë aspiratat legjitime të popullit gjeorgjian”, thuhej në komunikatë.

Protestuesit kanë rrëfyer për Radion Evropa e Lirë brutalitetin e ushtruar nga forcat e sigurisë kundër tyre.

“Ata na godisnin në kokë”, tha protestuesja Salome Zandukeli, duke përshkruar se si ajo dhe një mik u ndoqën natën e 2 dhjetorit nga rreth 25 policë në një ndërtesë në qendër të Tbilisit, para se të gjenin strehoheshin në një kafene.

Aktivisti Gia Jvarsheishvili i tha Radios Evropa e Lirë se ai u hodh në tokë nga policët që sulmonin dhe u rrah para se të futej me forcë në një furgon policie, ku të arrestuarit u detyruan të shtriheshin dhe u shtypën me këmbë nga policia.

“Papritur ndjeva dhimbje të padurueshme dhe kuptova se isha lënduar. Nuk e dija atëherë, por kisha brinjë të thyer”, tha Jvarsheishvili.

Presidentja proevropiane e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, e cila u mban anën demonstruesve, tha në platformën X se shumë nga protestuesit e arrestuar kishin plagë në kokë dhe fytyrë.

Disa prej tyre u rrahën sistematikisht gjatë arrestimit dhe transportimit në qendrat e ndalimit, shtoi ajo.

Avokati i popullit i Gjeorgjisë e akuzoi policinë për torturimin e protestuesve pro-BE-së.

Përdorimi i tepruar i dhunës nga forcat e sigurisë gjeorgjiane kundër protestuesve u përshkrua si “shumë shqetësues” nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili më 3 dhjetor tha se anëtarët e aleancës “i bëjnë thirrje Qeverisë gjeorgjiane të qëndrojë në rrugën drejt integrimit në BE dhe NATO”.

Shumica e gjeorgjianëve mbështesin anëtarësimin në BE, dhe përpjekjet për t’iu bashkuar bllokut janë të mandatuara në Kushtetutën e Gjeorgjisë.

Gjeorgjia e mori statusin e vendit kandidatit për BE në dhjetor 2023, por marrëdhëniet me Brukselin janë përkeqësuar muajt e fundit, duke filluar me miratimin e një ligji në stilin rus për “agjentët e huaj,” për të cilin kritikët thonë se kërcënon mediat dhe grupet e shoqërisë civile duke i akuzuar se “u shërbejnë” fuqive të huaja. /REL/

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *