Këshilltarët e Donald Trumpit publikisht dhe privatisht po bëjnë propozime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë që do t’i jepte Rusisë pjesë të mëdha të vendit për një të ardhme të parashikueshme, sipas një analize të deklaratave dhe intervistave të njerëzve të afërt me presidentin e zgjedhur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan Reuters.
Propozimet e tre këshilltarëve kryesorë, duke përfshirë të dërguarin e Trumpit për luftën Rusi-Ukrainë, gjeneral-lejtnantin në pension Keith Kellogg, ndajnë disa elemente, duke përfshirë heqjen e mundësisë së anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Këshilltarët e Trumpit do të përpiqen t’i detyrojnë Kievin e Moskën në negociata. Nëse Ukraina nuk pranon të bisedojë, do t’i ndalohet ndihma ushtarake. Nëse Rusia refuzon, do ta rrisin ndihmën ushtarake për ukrainasit.
Trumpi u zotua gjatë fushatës se do t’i jepte fund luftës gati trevjeçare brenda 24 orëve nga inaugurimi më 20 janar, nëse jo më parë, por nuk ka treguar se si.
Ekspertët dhe ish-zyrtarët e sigurisë kombëtare shprehin dyshime të mëdha që Trumpi mund ta përmbushë një premtim të tillë për shkak të kompleksitetit të luftës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, duke u përballur me mungesë të ushtarëve dhe humbjet territoriale në rritje, është shprehur i gatshëm për negociata.
Ndërsa ende synon anëtarësimin në NATO, ai u shpreh këtë javë se Ukraina duhet të gjejë zgjidhje diplomatike për të rimarrë disa nga territoret e okupuara.
Por Trumpi mund ta përballet me një Vladimir Putin të pavullnetshëm për t’i dhënë fund luftës, duke e ditur se Rusia po fiton gjithnjë e më shumë territor.
“Putini nuk ka arsye të nxitohet”, ka thënë Eugene Rumer, ish-oficer i lartë i inteligjencës amerikane për Rusinë.
Lideri rus, sipas Rumerit, nuk ka treguar gatishmëri për të hequr dorë nga kushtet për armëpushim, duke përfshirë largimin e Ukrainës nga kërkesa për anëtarësim në NATO dhe dorëzimin e katër provincave që Putini i pretendon si pjesë e Rusisë, por nuk i kontrollon plotësisht, një kërkesë e refuzuar nga Kievi.
Putini, siç thotë ish-pjesëtari i inteligjencës amerikane, ka të ngjarë të fitojë kohë, të marrë më shumë terren dhe të presë të shohë se çfarë koncesionesh, nëse ka, mund të ofrojë Trumpi për ta joshur në tavolinën e negociatave.
Reuters raportoi në maj se Putini ishte gati ta ndalonte luftën në linjat aktuale të frontit.
Rusia tashmë kontrollon të gjithë Krimenë, pasi e mori në mënyrë të njëanshme nga Ukraina në vitin 2014 dhe që atëherë ka marrë rreth 80 për qind të Donbasit – i cili përbëhet nga Donetsku dhe Luhansku – si dhe më shumë se 70 për qind të Zaporizhzhias dhe Khersonit, dhe pjesë të vogla të rajoneve të Mykolaivit dhe Kharkivit.
Më shumë se një plan
Marrëveshja e paqes do të varet drejtpërdrejtë nga angazhimi personal i Trumpit, Putinit dhe Zelenskyt.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se nuk ishte e mundur të komentoheshin deklaratat individuale pa pasur një ide të planit në tërësi.
Zëdhënësja e Trumpit, Karoline Leavitt, vuri në dukje se presidenti i zgjedhur i SHBA-së ka thënë se “do të bëjë atë që është e nevojshme për të rivendosur paqen dhe për të rindërtuar forcën dhe frenimin amerikan në skenën botërore”.
Përfaqësuesit e Trumpit nuk u përgjigjën në pyetjen nëse Trumpi ende mendon se mund ta zgjidhë luftën brenda një dite.
Një ish-zyrtar i sigurisë kombëtare të Trumpit ka thënë se ka tre propozime për Ukrainën: Plani i Kelloggut, ai i zëvendëspresidentit JD Vance dhe një tjetër i Richard Grenellit, ish-ushtruesi i detyrës së shefit të inteligjencës gjatë mandatit të parë të Trumpit.
Plani i Kelloggut, që tash u zgjodh si i dërguar për luftën, parasheh ngrirjen e linjave aktuale të betejës.
Trumpi do ta furnizonte me më shumë armë amerikane Kievin vetëm nëse do të binte dakord për bisedimet e paqes. Në të njëjtën kohë, ai do ta paralajmëronte Moskën se do të rriste ndihmën e SHBA-së për Ukrainën nëse refuzon negociatat. Anëtarësimi në NATO për Ukrainën do të vihej në pritje.
Ukrainës gjithashtu do t’i ofrohen garancitë e sigurisë nga SHBA-ja, të cilat mund të përfshijnë rritjen e furnizimeve me armë pas arritjes së një marrëveshje paqeje.
Vance, i cili si senator amerikan ka kundërshtuar ndihmën për Ukrainën, hodhi një ide të veçantë në shtator.
Ai propozoi një zonë të çmilitarizuar në vijat e frontit ekzistues që do të fortifikonte dhe parandalonte inkursionet e mëtejshme ruse. Sipas propozimit të tij, nuk ka gjasa për anëtarësim të Ukrainës në NATO.
Grenell, ish-ambasadori i Trumpit në Gjermani, mbrojti krijimin e “zonave autonome” në Ukrainën lindore, por nuk dha detaje. Ai sugjeroi gjithashtu se anëtarësimi në NATO për Ukrainën nuk ishte në interesin e Amerikës.
Grenelli ende nuk ka siguruar një pozicion në administratën e re, megjithëse Trumpi ende e vlerëson për çështjet evropiane, sipas njerëzve të afërt të presidentit të zgjedhur. Ish-emisari për dialogun Kosovë – Serbi ishte një nga njerëzit e paktë që mori pjesë në takimin mes Trumpit dhe Zelenskyt në shtator.
Sa janë realiste planet e njerëzve të Trumpit?
Elementet e propozimeve ka të ngjarë të përballen me kundërshtime nga Zelensky, i cili sipas Planit të tij të Fitores, parasheh anëtarësimin në NATO – diçka që kundërshtohet ashpër nga Rusia.
Javën e kaluar, ministri i Jashtëm i Ukrainës u dërgoi letër homologëve në NATO duke u kërkuar të lëshojnë ftesë anëtarësimi për Ukrainën në një takim të ministrave të Jashtëm të martën.
Disa aleatë evropianë kanë shprehur gatishmërinë për të rritur ndihmën për Ukrainën dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, po vazhdon të dërgojë armë.
Plani Kellogg, i cili varet nga rritja e ndihmës për Ukrainën nëse Putini nuk pranon të bisedojë, mund të përballet me goditje në Kongres, ku disa nga aleatët më të afërt të Trumpit kundërshtojnë ndihmën shtesë ushtarake për kombin e Evropës Lindore.
“Unë nuk mendoj se dikush ka ndonjë plan realist për t’i dhënë fund kësaj”, ka thënë Rumer, ish-oficeri i inteligjencës amerikane.