Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, është përplasur të enjten në mënyrë indirekte me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në takimin vjetor të OSBE-së për sigurinë, duke akuzuar Perëndimin se rrezikon përshkallëzimin e luftës në Ukrainë, por u largua përpara se Blinkeni dhe ministrat e jashtëm të vendeve të tjera të mund të përgjigjeshin.
Duke folur në takimin ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Maltë, Lavrovi akuzoi Perëndimin për ringjalljen e Luftës së Ftohtë dhe provokimin e një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Ai tha se veprimet e Shteteve të Bashkuara u nxitën nga dëshira për të “rikthyer NATO-n në qendër të vëmendjes politike”.
“Pas turpit në Afganistan, kishte nevojë për një armik të ri të përbashkët”, ka thënë Lavrovi gjatë ndalesës së tij të parë në një vend të BE-së që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022. “Rezultati i kësaj është rimishërimi i Luftës së Ftohtë, por tani me rrezikun shumë më të madh të përshkallëzimit të saj në fazën e nxehtë”, ka shtuar ai.
Sekretari Blinken, i cili foli pasi Lavrovi u largua nga salla e takimit, u përgjigj duke fajësuar Rusinë për përshkallëzimin situatës në rajon, duke vënë në dukje se ministri i jashtëm rus, folësi i katërt në takim, nuk qëndroi për të dëgjuar fjalimet e homologëve të tjerë.
“Le të flasim për përshkallëzimin”, tha Blinkeni, duke përmendur dislokimin e forcave të Koresë së Veriut në Evropë, përdorimin e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi për të sulmuar Ukrainën, vendimin e Rusisë për të ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore dhe sulmet e Moskës ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
“Zoti Lavrov foli për të drejtën sovrane të çdo shteti anëtar për të bërë zgjedhjet e veta. Kjo është pikërisht ajo për të cilën bëhet fjalë: të drejtën sovrane të Ukrainës dhe popullit ukrainas për të bërë zgjedhjet e tyre për të ardhmen, jo që ato zgjedhje të bëhen nga Moska”, ka thënë ai.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Andrii Sybiha, i cili ishte i pari që mbajti fjalimin, doli nga salla derisa Lavrovi po përgatitej të merrte fjalën. Atij iu bashkuan edhe ministrat e jashtëm të Polonisë dhe Estonisë.
Para se të largohej nga salla, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e quajti homologun e tij rus “kriminel lufte”.
“Ukraina vazhdon të luftojë për të drejtën e saj për të ekzistuar. Dhe krimineli rus i luftës në këtë tryezë (Lavrov) duhet ta dijë këtë: Ukraina do të ketë sukses dhe drejtësia do të mbizotërojë”, ka thënë ai. Kjo ishte vizita e parë e Lavrovit në një vend anëtar të BE-së që nga fillimi i sulmit të Rusisë në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt 2022. Pjesëmarrja e tij në forume me zyrtarë të lartë perëndimorë ka qenë relativisht e rrallë, megjithëse ai kohët e fundit mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe samitin e G20-ës në Brazil.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha se Malta i kishte dhënë asaj vizën për të shoqëruar Lavrovin në këtë takim.
Ministria e Jashtme e Maltës tha se tre vende anëtare të OSBE-së kishin kundërshtuar zgjatjen e vizës për Zakharovan, e cila është në listën e personave që u ndalohet udhëtimi në BE. Lavrovi është gjithashtu subjekt i sanksioneve të BE-së, por nuk përballet me ndalim të udhëtimit.
Lavrovi mori pjesë në një takim të OSBE-së vitin e kaluar në Shkup të Maqedonisë së Veriut, por Polonia ia refuzoi atij vizën në 2022 vitin për shkak të fillimit të agresionit rus në Ukrainë.
Sekretari Blinken udhëtoi për në Maltë nga Brukseli, ku mori pjesë në takimin e tij të fundit të NATO-s si përfaqësues i administratës së Presidentit Biden, të cilës i përfundon mandati më 20 janar. Ministri i Jashtëm i Ukrainës ishte gjithashtu i pranishëm, pasi Ukraina bojkotoi takimin e vitit të kaluar për shkak të pjesëmarrjes së Lavrovit. /ZëriiAmerikës