Kushdo që prek Marrëveshjen e Ohrit, ka prekur marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin politik. Zv.kryeministri i Parë Izet Mexhiti me porosi për Gjykatën Kushtetuese, disa ditë para se të mbahet seanca në të cilën do të vendoset mbi ankesat që kanë të bëjnë me ligjin e gjuhëve, njofton Alsat-M.
“E ftoj Gjykatën Kushtetuese që ta sheh këtë edhe si çështje politike jo vetëm juridike, përshkak se ligji i gjuhëve buron nga marrëveshja e ohrit që është shtyllë e këtij shteti, kushtetuta e re është ndërtuar mbi marrëveshjen e ohrit. Kushdo që prekë marrëveshjen e Ohrit, ka prekur marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin e këtij shteti. Nuk është çështje e ngutshme që duhet të sjellim vendime ad-hok. Është çështje e ndjeshme, e rëndësishme”, tha Izet Mexhiti – Zv.kryeministër.
Kreu i Besës Bilall Kasami paralajmëron se Qeveria nuk do të qëndrojë duarkryq ndaj çfarëdo vendimi të Kushtetueses.
“Nëqoftëse ndodhë, e ne urojmë që të mos ndodhë, sigurisht se si qeveri do të duhet të marrim masat adekuate që ato pasoja të cilat do të mund të vijnë si rezultat i atij vendimi, të sanohen”, u shpreh Bilall Kasami – Kryetar i Tetovës.
Edhe pse Kushtetuesja ka zbardhur rendin e ditës për më 11 dhjetor në të cilën seancë kontestohet thuajse i tërë ligji për përdorimin e gjuhëve, kryeministri Hristijan Mickoski qëndron vetëm te tre nenet fillestare. Ai edhe një herë përsëriti se gjykatësit në Kushtetuese janë të zgjedhur nga BDI dhe LSDM.
“Mendoj se pikërisht ajo që kemi folur për ato tre nene ato kontestohen. Përndryshe po, ka edhe iniciativa tjera por flasim për atë iniciativë që është për momentin. Të presim le të vjen i 11ti të shohim si do të zhvillohet dhe evaluohet”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
ALSAT zbardhi rendin e ditës të përcaktuar paraprakisht nga Gjykata Kushtetuese për nisjen e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. I gjithë ligji, qoftë në tërësi apo në pjesë të veçanta, me të gjitha nenet e tij, është në shënjestër të 13 iniciativave që përfshijnë 46 subjekte denoncuese.
E vetmja gjë e pakontestueshme është paragrafi 1 që thotë: Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.
Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu, në intervistën e fundit për Alsat konfirmoi se ai dhe gjykatësi tjetër shqiptar Naser Ajdari nuk do të marrin pjesë në seancë me qëllim që të mos ketë mbivotim. Sipas konkluzionit të sjellë në vitin 2022, nëse së paku një gjykatës mungon, për tema të tilla të rëndësishme nuk mund të sillet vendim./ Alsat.mk