Sindikatat dhe punëdhënësit me qëndrime të ndryshme për të “dielën pushim”. Punëdhënësit asnjëherë nuk janë pajtuar me këtë zgjidhje ligjore dhe kërkojnë të zgjerohet lista e veprimtarive që mund të punojnë të dielën, ndërkohë që punonjësit këmbëngulin për pushim në ditën e shtatë të javës. Nga mesi i muajit pritet të ballafaqohen argumentet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 janar – E diela si ditë jo pune hyri në fuqi më 1 janar 2022, apo para tre vitesh. Oda Ekonomike e kontestoi këtë nismë para Gjykatës Kushtetuese, mirëpo kjo e fundit vendosi të mos ketë ndryshime. Me fjalë tjera, sindikatat dhe punëdhënësit janë me qëndrime të ndryshme për të “dielën pushim”. Punëdhënësit asnjëherë nuk janë pajtuar me këtë zgjidhje ligjore, dhe kërkojnë të zgjerohet lista e veprimtarive që mund të punojnë të dielën. Aktualisht, nga mbi 530 mijë punonjës në vend, vetëm rreth 30 mijë punojnë të dielën për çka marrin edhe mëditje më të madhe. Nga Organizata e Punëdhënësve thonë se edhe kur janë bërë ndryshimet ligjore, kanë reaguar se do të bëhen lëshime. Nga aty, ata mendojnë se nuk duhet kufizuar aktivitetet, punëtorët duhet të paguhen në mënyrë përkatëse dhe inspektorët e punës duhet të kontrollojnë më shumë situatën në teren. Sindikatat, nga ana tjetër, janë kundër ndryshimit të kësaj të drejte të punës.
“Në shtetet demokratike ku vendi i jonë pretendon të përfshihet, e diela është ditë jo punë, dhe tashmë ka trend të shkurtohet java e punës në 35 orë dhe e shtunë është gjithashtu ditë jo pune. Njëherësh theksojmë se e diela si ditë jo punë e riktheu pak dinjitetin e punëtorit, andaj punëtori pushon të dielën”, thonë nga Lidhja e Sindikatës.
Sindikatat kanë thënë vazhdimisht se kjo zgjidhje ligjore nuk guxon të preket dhe këmbëngulin që lista e aktiviteteve që punojnë të dielave të reduktohet në minimum, pa e konsideruar rritjen e saj. “Nëse ne, punëtorët, na pyet dikush, pa mëdyshje themi se e diela duhet të jetë ditë jopune për të gjithë pa përjashtim, përveç policisë, ushtrisë, Ndihmës së Shpejtë apo aktiviteteve të shërbimit që duhet të jenë në dispozicion të qytetarëve, por ato që duhet të punojnë më së paku për ne janë qendrat tregtare, apo vende të caktuara të punës që nuk kanë punuar as në të kaluarën, dhe ne besojmë se edhe ata njerëz nuk duhet të punojnë të dielave, qoftë edhe për një pagë të rritur ditore, duke pasur parasysh se është ditë pushimi, një ditë për familjen, fundjavë dhe ju e dini se çfarë është puna nga e hëna në të premte dhe 40 orë orari i punës”, thonë sindikatat.
Punëdhënësit, zejtarët dhe Odat Ekonomike kanë dorëzuar kërkesë që, aktivitete të caktuara, si zanatet, parukierë, marketet, prodhimi… të jenë në gjendje të punojnë. Mirëpo, çështja mbetet e hapur. Në mesin e këtij muaji pritet të ketë një takim të ri me punëdhënësit dhe sindikatat dhe nga ky takim do të varet zgjidhja në Këshillin Ekonomik Social për rishikimin eventual të zgjidhjes ligjore për “të dielën si ditë jopune”.
Nga Ministria e Ekonomisë thonë se këtu ka palë kundërshtare. Punëdhënësit duan të shfuqizojnë “ditën e diel pushim”, por nga ana tjetër, janë sindikatat që duan ta mbajnë ashtu siç është. Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi vlerëson se disa aktivitete duhet të lirohen disa aktivitete që kanë të bëjnë me punën që të mund të punojnë të dielave, por jo të hiqet plotësisht “ditë e diel jopune”. Pra le të mbetet ashtu siç është, por le të lirohen disa aktivitete që të mund të punojnë, duke bërë disa ndryshime, ku do të vendoset dyfishi apo trefishi i pagave ditore për të punësuarit.
“Qëllimi është që të dielave të mundësohet puna për disa aktivitete, por me një kompensim të drejtë për punonjësit. Paga do të dyfishohet ose trefishohet. Sindikatat hezitojnë , ndërsa punëdhënësit këmbëngulin për ndryshime. Ne do të vazhdojmë bisedimet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme”, thekson ministri Durmishi.
Ndryshe, punën të dielën e mbrojnë Gjermania, Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Greqia, Luksemburgu, ndërsa ditë të caktuara të së dielave në vit me dyqane që mund të punojnë kanë Polonia, Holanda, Sllovenia, Spanja… Jashtë BE-së, në Norvegji dhe Zvicër nuk punojnë shitoret të dielën. Përkufizimi i punës për ditën e diel është në përkufizim edhe me Direktivën Evropiane për balancë midis jetës private dhe biznesore, që e ka miratuar Parlamenti Evropian në vitin 2019, dhe që duhet të implementohet në legjislacionin e shteteve anëtare deri më vitin 2022. Harmonizimi i obligimeve familjare dhe punës, është një nga çështjet shoqërore-politike me prioritetet për BE-në, që disa shtete e kanë zgjidhur që moti. Ajo pritet të mundësojë ndër të tjerash, që prindërit të kërkojnë orar të shkurtuar apo fleksibil të punës, punë nga shtëpia atje ku mund të harmonizohen obligimet familjare dhe të punës.
Me fjalë tjera, kjo direktivë ka për qëllim edhe ballafaqimin evropian me plakjen e popullatës, uljen e natalitetit, që do të sjellë tronditje ekonomike, andaj edhe nevojitet të përmirësohet pozita e prindërve të punësuar, për shkak se nuk mund të rritet nataliteti me angazhimet e shumta në punë. (koha.mk)