
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot ka realizuar një takim me homologun e tij hungarez, Peter Sijarto, në kuadër të takimit të ministrave të OSBE-së në Vjenë.
“Shprehim kënaqësi për bashkëpunimin dinamik dypalësh dhe dialogun politik të vazhdueshëm në nivel të lartë, si dhe për bashkëpunimin e gjerë sektorial dhe mbështetjen reciproke në formatet e ndryshme multilaterale. Konfirmuan edhe se në periudhën e ardhshme të dy shtetet do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi”, njoftoi Mucunski në Fejsbuk.
Ai në postim thekson se e kanë përshëndetur mbajtjen e seancës së pestë të Komisionit të përzier për bashkëpunim ekonomik ndërmjet dy shteteve muajin e kaluar, si dhe kanë biseduar për zhvillimet aktuale në rajon dhe Evropë, partneritetin brenda NATO-s, procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe për mbështetjen e rëndësishme që Hungaria ofron në këtë rrugë.

Mucunski në takimin në Vjenë do të ketë disa fjalime mbi tema me interes të përbashkët, në dritën e kontekstit të ndërlikuar të sigurisë me të cilin përballet rajoni i OSBE-së.
Përveç pjesëmarrjes në Këshillin e ministrave, agjenda e ministrit gjatë vizitës në Vjenë përfshin edhe pjesëmarrjen në takimin e “Miqve të Ballkanit Perëndimor”, i organizuar nga Ministria austriake e Punëve të Jashtme. Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga vendet anëtare të grupit dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas.
Në kuadër të vizitës në Vjenë, Mucunski do të realizojë edhe një takim me Shoqatën e Industrialistëve të Austrisë, ku do të prezantohen mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik.









