Categories VENDI

Platformë për transparencën për projektet komunale! Qytetarët mund të ndjekin në kohë reale shpenzimin e kredisë hungareze

Projektet në komuna, të financuara nga kredia hungareze, tashmë do të mund të ndiqen përmes platformës proekti.gov.mk, e cila do të ofrojë qasje të plotë për secilin mbi mënyrën se si shpenzohen mjetet dhe për çfarë qëllimi.

Në platformë do të paraqiten fazat e realizimit të projektit, institucioni përgjegjës, do të mund të shihet buxheti dhe efikasiteti operacional i tij, si dhe të kërkohet në detaje sipas komunave se cilët projekte janë në realizim.

Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se kjo platformë nuk është vetëm një sistem teknik, por mesazh se gjithçka do të bëhet në transparencë.

“Vendosim një sistem në të cilin çdo qytetar, çdo komunë, çdo gazetar, çdo përfaqësues i sektorit civil dhe çdo faktor relevant do të mund të ndjekë në kohë reale, në mënyrë transparente dhe të saktë rrjedhën e projekteve që i financon Qeveria. Pikërisht kështu duhet të funksionojë një shtet evropian”, theksoi Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Po ashtu, qytetarët do të kenë mundësi të parashtrojnë pyetje në platformë dhe të interesohen për të dhënat e caktuara të projektit. Nga thirrja e parë financohen gjithsej 288 projekte, por për momentin në platformë janë të publikuara vetëm të dhënat për 30 prej tyre. Nga Qeveria thonë se platforma do të plotësohet gradualisht derisa të paraqiten të gjitha projektet. Përveç kësaj, platforma do të zgjerohet edhe me projektet e thirrjes së dytë.

“Kjo platformë tregon se mjetet publike janë nën mbikëqyrje publike, se institucionet punojnë me rregulla të qarta, se komunat kanë qasje të barabartë dhe se Qeveria funksionon me standarde bashkëkohore të llogaridhënies dhe digjitalizimit”, shtoi Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Projektet komunale të financuara me kredinë e marrë nga Hungaria përfshijnë 288 projekte me vlerë rreth 75 milionë euro, ndërsa me thirrjen e dytë janë përfshirë edhe 828 projekte të reja me vlerë mbi 225 milionë euro.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *