Categories VENDI

“Safe City” nga këndvështrimi sociologjik

Nga perspektiva sociologjike, vendosja e kamerave nuk është vetëm çështje teknike; është çështje besimi, barazie dhe kapaciteti institucional. Nëse sistemi zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të njëjtë për të gjithë, ai mund të përmirësojë kulturën rrugore. Por nëse funksionon me standarde të dyfishta, do të thellojë pabarazitë dhe cinizmin qytetar ndaj institucioneve

Nga Liman ALIJI

“Vërtet njerëzit janë të mirë, por më të mirë bëhen kur janë të detyruar.” Kjo thënie personale pasqyron një të vërtetë sociologjike: sjellja e individit ndryshon në varësi të rregullave, kontrollit shoqëror dhe pritshmërive kolektive. Në këtë kuptim, vendosja e kamerave të sigurisë nëpër qytetet e Maqedonisë së Veriut paraqet një formë moderne të mbikëqyrjes institucionale, e cila mund të prodhojë disa efekte pozitive, por edhe pasoja problematike nga këndvështrimi sociologjik.

ANËT POZITIVE

Vendosja e kamerave mund të nxisë rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe disiplinës në komunikacion. Pritet që të reduktohen sjelljet e rrezikshme të individëve që deri tani kanë vepruar jashtë normave – si ata që qarkullojnë me vetura të paregjistruara apo që e interpretojnë rrugën si hapësirë ku “gjithmonë kanë të drejtë”. Në këtë aspekt, kontrolli digjital vepron si një mekanizëm që rrit përgjegjësinë individuale dhe sigurinë kolektive.

ANËT NEGATIVE

Megjithatë, sociologjikisht problemi më i madh është drejtësia selektive, një fenomen i vjetër në Maqedoni. Ekziston frika e arsyeshme se edhe ky sistem do të aplikohet në mënyrë të pabarabartë. Disa targa të disa veturave “të caktuara” mund të mos jenë të qasshme për sistemin, me ç’rast ndëshkimi prapë bie mbi shtresën e mesme dhe të varfër – kategoritë që historikisht e bartin peshën e ligjshmërisë, ndërsa një pjesë e elitës politike dhe ekonomike mbetet e pa-prekur.

Kjo pabarazi e perceptuar apo reale krijon mosbesim institucional dhe e forcon idenë se rregullat vlejnë vetëm për disa, por jo për të gjithë.

KOSTO SHTESË PËR GRUPET E VEÇANTA

Këtu përfshihet edhe një kategori shpesh e harruar: ata që çdo ditë udhëtojnë 30–50 kilometra për të shkuar në punë në qytetin e Shkupit. Për ta, krahas shpenzimeve për derivate, taksa rrugore dhe mirëmbajtje të automjetit, sistemi i kamerave mund të bëhet një barrë shtesë financiare. Vetëm gjatë hyrjes, lëvizjes dhe daljes nga kryeqyteti ekziston propabilitet i lartë që të kapen nga kamerat dhe të gjobiten disa herë brenda javës – duke e rritur kostën e jetesës për një grup që tashmë është ekonomikisht i ngarkuar.

DIMENSIONI KULTUROR DHE INSTITUCIONAL

“Më mban një shpresë” – kjo lidhje me përvojën historike është po ashtu relevante. Maqedonia e veriut ka treguar më herët paaftësi për të zbatuar në mënyrë të qëndrueshme reforma të ngjashme: ndalimin e duhanit në lokale, heqjen e qeseve plastike nëpër markete etj. Këto raste kanë krijuar një pritshmëri kolektive se edhe sistemi i kamerave mund të dështojë, jo për shkak të teknologjisë, por për shkak të kulturës së moszbatueshmërisë dhe institucionalizimit të përjashtimeve.

Në përfundim, nga perspektiva sociologjike, vendosja e kamerave nuk është vetëm çështje teknike; është çështje besimi, barazie dhe kapaciteti institucional. Nëse sistemi zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të njëjtë për të gjithë, ai mund të përmirësojë kulturën rrugore. Por nëse funksionon me standarde të dyfishta, do të thellojë pabarazitë dhe cinizmin qytetar ndaj institucioneve.

(Autori është sociolog i diplomuar)

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *