
Në debatin e sotëm mbi Serbinë në Parlamentin Evropian, raportuesi Tonino Picula u shpreh se “Brukseli nuk duhet t’i ofrojë karota Vuçiçit që ai të mund t’i rrahë qytetarët e tij”. Ai akuzoi presidentin serb për përshkallëzimin e dhunës ndaj protestuesve, sulmet ndaj gazetarëve dhe përpjekjet për të kontrolluar plotësisht median, duke nënvizuar mungesën e reformave reale dhe respektimit të kritereve evropiane.
Eurodeputetë nga grupet kryesore të PE-së shprehën shqetësim të thellë për situatën në Serbi. Davor Ivor Štir nga Partia Popullore Evropiane theksoi se niveli i dhunës dhe represionit është rritur pas tragjedisë së Novi Sadit dhe paralajmëroi masa ndaj partisë në pushtet SNS. Vladimir Prebiliç i Gjelbërve dhe Aleancës së Lirë kërkoi që BE-ja të ndalojë mbështetjen për Vuçiçin, duke theksuar se studentët dhe opozita demokratike po vuajnë nga sulmet ndaj tyre.
Thomas Weiz nënvizoi se qytetarët serbë duhet të rrëzojnë qeverinë autoritare për të siguruar një të ardhme më të mirë, ndërsa Andreas Schieder e quajti situatën paradoksale dhe kërkoi sanksione të synuara kundër regjimit të Vuçiçit. Reinhold Lopatka deklaroi se Serbia nuk po ndjek rrugën e duhur drejt BE-së, duke dënuar përdorimin joproporcional të forcës ndaj protestuesve paqësorë.
Eurodeputetë të tjerë, përfshirë Alexandra Moretti dhe Matjaž Nemec, vunë në dukje se fjalët e BE-së janë të pamjaftueshme pa veprime konkrete, ndërsa populli serb vazhdon të luftojë për zgjedhje të lira dhe sundim të ligjit. Lukas Sieper nga Gjermania paralajmëroi se betejat demokratike në Serbi janë tani në duart e të rinjve, dhe Vuçiç do të mbahet përgjegjës nga qytetarët nëse dhuna dhe represioni vazhdojnë.









