
Austria dhe Sllovenia, bashkë me Gjermaninë e Italinë, kanë ngritur iniciativë deri te Komisioni Evropian për ndryshimin e procesit të vendimmarrjes për anëtarësimin e vendeve kandidate në Bashkimin Evropian.
Ata kërkojnë vendimmarrje me shumicë të kualifikuar mes hapave, ndërsa vendimmarrje me konsensus për fillimin dhe përfundimin e procesit të anëtarësimit. Ministrja për Europë e Austrisë, Klaudia Plakolm dhe sekretarja shtetërore në MPJ-në sllovene, Neva Grashiç, thonë se qëllimi është të përshpejtohet procesi dhe të shmangen çështje bilaterale politike që bllokojnë procesin e anëtarësimit.
“Tanimë njëzet vjet i premtojnë Maqedonisë së Veriut se do të bëhet anëtare e BE-së. Sot kam një lajm nga Austria për ju. Austria do të angazhohet për shumicë të kualifikuar në procesin e inkuadrimit të vendeve në BE, me qëllim që të ulet burokracia. Kjo do të thotë se nuk do të jetë i domosdoshëm konsensusi për çdo hap teknik për secilin vend kandidat. Për procesin përfundimtar të anëtarësimit do të kërkohet konsensus, por ndërkohë do të ulen tensionet në marrëdhëniet dypalëshe dhe do të mund të merren vendime në një masë më të madhe në mënyrë neutrale”, tha Klaudia Plakolm – Ministre për Europë e Austrisë.
“Zgjerimi i BE-së edhe më tej është prioritet i jonë, para se gjithash për shkak të dinamikës gjeopolitike. Insistojmë që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2030 dhe e kuptojmë dëshpërimin. Sllovenia dhe Gjermania që moti kanë propozuar votim me shumicë të kualifikuar për çështje teknike lidhur me zgjerimin. Duam të shohim vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe të tjerat nga lindja sa më shpejtë të përparojnë, ky është dhe kontributi jonë”, u shpreh Neva Grashiç – Sekretare e MPJ-së së Sllovenisë.
Ministri për çështje evropiane, Orhan Murtezani vlerëson se metodologjia e re do të përshpejtonte dukshëm procesin e anëtarësimit.
“Në kohën kur është definuar kjo metodologji, Unioni ka qenë tjetër Union dhe rrethanat kanë qenë të tjera. Tani rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar dhe patjetër duhet të vendoset metodologji e re e cila do të mundësojë përmbyllje të shpejtë të procesit në kushte të pasigurive të mëdha”, tha Orhan Murtezani – Ministër i çështjeve evropiane.
Kjo nismë i është dërguar kryetarit të Këshillit Evropian Antonio Koshta dhe mbështetet nga gjithsej 16 shtete anëtare të unionit.









