
Kryetarja e bashkisë që u sulmua me thikë në Gjermani është në gjendje kritike, kurse djali i saj 15-vjeçar (i adoptuar), u mor me pranga nga oficerët pas dëshmisë se ajo ishte sulmuar nga disa burra në rrugë.
Kryetarja e sapozgjedhur e qytetit Hereddeke, Iris Stalzer, është në gjendje kritike pas goditjeve mëngjesin e sotëm para shtëpisë së saj. 57-vjeçarja ka plagë të shumta në bark dhe shpinë, ndërsa autoritetet po hetojnë motivet e sulmit.
Sipas informacioneve fillestare, Stalzer, anëtare e Partisë Socialdemokrate, u gjet e plagosur rëndë në apartamentin e saj në lagjen Hereddeke, North Rhine-Westphalia. Dy fëmijët e saj të birësuar, një djalë 15-vjeçar dhe një vajzë 17-vjeçare, ishin në shtëpi, të cilët njoftuan autoritetet, informon “Bild”.
Kur policia mbërriti në vendngjarje, 15-vjeçari u çua në makinën e policisë, u prangos dhe u vesh me një uniformë të posaçme për të ruajtur gjurmët e mundshme të gishtërinjve.
Sipas hetuesve, kjo u bë vetëm për të shmangur shkatërrimin e provave. Ai dyshohet se pretendoi se nëna e tij u sulmua nga të panjohur në rrugë.
Stalzer është në gjendje kritike, ndërsa mjekët po luftojnë për ta mbajtur gjallë. Për momentin, nuk ka prova që të konfirmojnë një motiv politik ose dëshmi për të dyshuarit që u larguan nga vendi i ngjarjes.
Në të njëjtën kohë, po hetohet mundësia që sulmi të ketë lidhje me incidente të mëparshme të dhunës në familje. Sipas “Spiegel”, verën e kaluar, vajza 17-vjeçare e Stalzer dyshohet se e sulmoi 57-vjeçaren me thikë në të njëjtën shtëpi. Dy adoleshentët tani janë nën hetim, ndërsa deri më tani autoritetet nuk kanë bërë zyrtarisht asnjë arrestim.
Iris Stalzer është një avokate e specializuar në të drejtën familjare dhe ka qenë aktive në politikën lokale në Herdecke për vite me radhë, duke marrë pjesë në këshillin e qytetit dhe komitetin e të rinjve.
Më 28 shtator, ajo u zgjodh kryetare bashkie me 52.2% të votave, me mbështetjen e të Gjelbërve, duke mposhtur kandidatin e CDU-së Fabian Konrad Haas. Ajo duhej të merrte detyrën në fillim të nëntorit, pas 16 vitesh administrim konservator në qytet.(Panorama.al)









