
Pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian, Këshilli i Ambasadorëve në Maqedoninë e Veriut kërkon përshpejtim urgjent të reformave dhe rezultate konkrete në sundimin e ligjit, administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas këshillit, pa institucione funksionale dhe llogaridhënie reale, procesi i integrimit evropian rrezikon të mbetet vetëm retorikë politike
Ersan PAJAZITI
Shkup, 10 nëntor – Komisioni Evropian, në fillim të nëntorit 2025, publikoi raportin vjetor për progresin e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se vendi ende nuk i ka miratuar ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, që është kusht kyç për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Raporti vëren përparim të kufizuar në fushat e sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe luftës kundër korrupsionit. Këtë raport e ka komentuar edhe Këshilli i Ambasadorëve në Maqedoni të Veriut. Këshilli i Ambasadorëve nënvizon se suksesi i integrimit evropian të vendit varet nga koherenca, transparenca dhe dinamika e reformave – si në fushat “themelore” kyçe, ashtu edhe në sektorët që sigurojnë konkurrueshmërinë dhe gjithëpërfshirjen e ekonomisë. Në këtë drejtim, këshilli bën thirrje për fokus të shtuar mbi proceset reformuese dhe arritjen e rezultateve konkrete e të matshme: një gjyqësor funksional dhe të pavarur, administratë efikase e profesionale, zbatim efektiv të EU acquis, si dhe realizim të përshpejtuar të Agjendës së Reformave për shfrytëzimin në kohë dhe të plotë të 750,4 milionë eurove të destinuara për vendin në kuadër të Planit të BE-së për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor.
“Pavarësia, profesionalizmi dhe llogaridhënia e institucioneve gjyqësore mbeten një prioritet kyç në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian. Prandaj, Këshilli e fton Qeverinë dhe Parlamentin të intensifikojnë përpjekjet për forcimin e institucioneve dhe për miratimin e zbatimin në kohë të dokumenteve strategjike në këtë fushë. Është me rëndësi thelbësore miratimi i një Kodi të ri Penal të harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian (EU acquis) dhe me standardet ndërkombëtare, forcimi i kapaciteteve të Prokurorisë Publike dhe sigurimi i rezultateve të matshme në hetime, ngritjen e akuzave, procedurat gjyqësore dhe konfiskimin e pasurisë, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta”, thuhet në reagimin e Këshillit të Ambasadorëve.
Këshilli i Ambasadorëve gjithashtu thekson rëndësinë e intensifikimit të reformave në administratën publike, me qëllim sigurimin e një shërbimi publik profesional, të aftë dhe të besueshëm, si dhe forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e miratimit të politikave dhe zgjidhjeve ligjore.
“Për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, Këshilli pret forcimin e mëtejshëm të strukturës institucionale negociuese, kapaciteteve administrative dhe koordinimit ndërinstitucional, si dhe zhvillimin e ekspertizës në administratën shtetërore në fushën e EU acquis”, theksojnë nga Këshilli I Ambasadorëve. Gjithashtu, ky këshill kujton rëndësinë e konsensusit ndërpartiak për integrimin evropian të vendit, si dhe të një dialogu politik funksional që do të mundësojë bashkëpunim konstruktiv dhe stabilitet institucional në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Përndryshe, problemi kryesor që vazhdon ta pengojë vendin në rrugën drejt integrimit evropian mbeten ndryshimet kushtetuese, konkretisht përfshirja e bullgarëve në Preambulë – një kusht i domosdoshëm për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
KOMISIONI PËR ÇËSHTJE HISTORIKE – PA REZULTATE
Ndërkohë, Komisioni për çështje historike mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është shndërruar, sipas bashkëkryetarit të tij, Angel Dimitrov, në një lloj alibie për marrëdhëniet aktualisht shumë të ndërlikuara midis dy vendeve. Në një deklaratë për mediat bullgare, Dimitrov theksoi se pas tetë vjetësh punë dhe 38 takimesh, komisioni nuk ka arritur asnjë përparim domethënës. “Përgjigjja më e shkurtër është: askund. Pas tetë vjetësh punë, ende jemi te teksti shkollor i klasës së shtatë, që trajton periudhën e shekullit XI. Do të mund ta quaja këtë një bllokadë, por më mirë do ta përshkruaja si stagnim – një gjendje që, fatkeqësisht, reflekton edhe situatën e përgjithshme të vendit. Edhe raporti i fundit nga Brukseli e evidenton këtë, por ajo që shqetëson më shumë është mungesa e reagimit nga udhëheqja shtetërore në Shkup”, deklaroi Dimitrov.
Sipas tij, komisioni shërben më shumë si një shenjë formale se ekziston dëshirë për bashkëpunim, sesa si një mekanizëm real për zbatim të Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë. “Ky është i vetmi komision që ende funksionon në kuadër të marrëveshjes, por mungesa e rezultateve e vë në pikëpyetje qëndrimin e palës maqedonase ndaj vetë dokumentit”, shtoi ai.
Dimitrov nënvizoi se ndryshimet në përbërjen e komisionit nga pala maqedonase nuk kanë sjellë asnjë ndryshim në mënyrën e punës. “Edhe më herët, diskutimet ishin përqendruar te Arqipeshkvia e Ohrit, dhe qëndrimi i kolegëve tanë mbetet i pandryshuar: ata nuk pranojnë as të nënkuptohet se kjo është vazhdimësi e Patriarkanës Bullgare. Megjithatë, dokumentet historike, përfshirë edhe vendimet e perandorit Vasil II, e dëshmojnë qartë këtë lidhje. Arsyeja kryesore për ngecjen e punës së komisionit është mungesa e vullnetit për të pranuar fakte të tilla historike, pasi përfaqësuesit nga Shkupi ndjekin plotësisht linjën politike të shtetit dhe doktrinën e ‘maqedonizmit’”, përfundoi Dimitrov.
KOVAÇEV: TË NDRYSHOHET MËNYRA E MARRJES SË PASAPORTAVE BULLGARE
Ndërkohë, eurodeputeti bullgar nga Partia Popullore Evropiane, Andreј Kovaçev, kërkoi miratimin urgjent të ndryshimeve në Ligjin për shtetësinë bullgare, gjatë një takimi me gazetarë bullgarë në Bruksel. Sipas tij, ligji aktual është i palogjikshëm dhe nuk mundëson legjitimimin e duhur të komunitetit bullgar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kovaçev u bëri thirrje përmes mediave që ligji të ndryshohet sa më shpejt të jetë e mundur. Projektligji parashikon që një pjesë e të dhënave personale të personave që kanë marrë shtetësinë bullgare të bëhen publike, me qëllim që të konfirmohet identifikimi i tyre si bullgarë etnikë. Ai theksoi se me këtë do të konfirmohet edhe sa i madh është komuniteti bullgar në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe cilët persona kanë dokumente bullgare identifikimi.
“Një regjistër publik në Ministrinë e Drejtësisë me një numër të kufizuar të dhënash – emrin dhe vendbanimin e personit përkatës, që ka kërkuar dhe ka marrë shtetësinë bullgare. Ata janë pothuajse mbi 170-180 mijë në lidhje me Maqedoninë, ndërsa aktualisht ka ndoshta mbi 15-20 mijë raste që janë në përpunim. Ju vetë keni ardhur vullnetarisht dhe keni thënë: ‘Ja, gjyshja, gjyshi – ata janë bullgarë. Ja dokumentet që tregojnë se kanë qenë në Egzarkinë bullgare, në ushtri, në shkollën bullgare. Unë kam nënshkruar deklaratë se ndihem si bullgar etnik dhe në bazë të kësaj po marr shtetësinë bullgare’”, tha Kovaçev për mediat bullgare, duke folur për procesin e marrjes së dokumenteve bullgare. Tema për pasaportat bullgare tek shtetasit maqedonas shpesh shkakton kontroversa, veçanërisht për shkak të implikimeve politike dhe çështjeve të identitetit kombëtar. Sipas analistëve, një pjesë e qytetarëve e sheh pasaportën bullgare si një mundësi praktike për kushte më të mira ekonomike, ndërsa të tjerët theksojnë lidhjen historike me Bullgarinë. (koha.mk)









