Categories VENDI

28 specialistë u punësuan në Spitalin e Tetovës

Në Spitalin Klinik të Tetovës, sot 28 mjekë që kanë përfunduar specializimin në këtë institucion shëndetësor kanë marrë vendime për punësim me kontratë të përhershme. Nënshkrimi i vendimeve u bë në një ceremoni ku morën pjesë drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi, dhe ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Drejtori Erzen Elezi, në konferencë për media, theksoi se ky është konkursi i parë për punësimin e specialistëve, ndërsa është në zhvillim edhe konkursi i dytë, me të cilin do të punësohen edhe mjekë të tjerë.

“Specialistët në institucionin tonë, Spitali Klinik i Tetovës, kanë qenë në specializime të ndryshme si: ortopedi, neurologji, kirurgji, gjinekologji, mjekësi fizikale dhe të tjera. Spitali ynë ka ende nevojë për specializime të tjera. Në Ministrinë e Shëndetësisë ka edhe një konkurs tjetër për punësimin e specialistëve të rinj; kemi nevojë për repartet e sëmundjeve infektive, hematologjisë, radiologjisë dhe kirurgjisë. Mendoj se me këtë konkurs të dytë do të jemi 100 për qind të mbuluar me specialistë të rinj”, deklaroi Elezi.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu theksoi se kapacitetet njerëzore janë element thelbësor i sistemit shëndetësor, dhe për këtë arsye nuk do të ndalen vetëm me këto 28 punësime.

“ Faza e dytë, për shkak të burimeve lokale, kishte qenë në pauzë, por tani po vazhdojmë. Drejtori po i ndjek proceset administrative dhe për një kohë të shkurtër ato do të përfundojnë. Gjithashtu shumë shpejt do të hapet konkursi për specialistë të rinj. Edhe pas konkursit të dytë do të kemi nevojë për mjekë të tjerë, sepse standardet evropiane kërkojnë që për 100 mijë banorë të ketë një numër të caktuar mjekësh, e ne fatkeqësisht ende jemi larg kësaj shifre optimale. Prandaj do të vazhdojmë të investojmë në punësime dhe në kapacitetet njerëzore në shëndetësi”, tha Aliu.

Sa i përket infermierëve, sanitarëve, personelit teknik dhe administrativ, të cilët aktualisht punojnë me kontrata në vepër, drejtori Elezi paralajmëroi se do të zhvillohen intervista dhe brenda dy javësh pritet të përfundojë procesi i punësimit të tyre me kontratë të përhershme.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *