A do të mund të votohet me dokumente të vjetra?

Problem ka edhe një pjesë e qytetarëve që kanë mbushur 18 ose ndërkohë do të mbushin 18 vjeç dhe nuk kanë letërnjoftim apo pasaportë. Ndërkaq, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve propozon futjen e një dispozite kalimtare në Kodin Zgjedhor që do të lejojë votimin në zgjedhjet e pranverës me dokumentet e vjetra të vlefshme

Xhenur ISENI

Shkup, 5 mars – Zëvendësimi i dokumenteve të vjetra me të reja me emrin “Maqedonia e Veriut” ka krijuar një sërë dhimbje koke për qytetarët. Pas indikacioneve se një numër i madh i qytetarëve nuk do të mund të zëvendësojnë dokumentet e tyre në kohë para zgjedhjeve të pranverës, u ngrit dilema se a do të mund të votojnë me dokumentet e vjetra, të cilat nuk kanë skaduar. Për të tejkaluar problemin, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i dërgoi Parlamentit propozim për futjen e një dispozite kalimtare në Kodin Zgjedhor që do të lejojë të votohet në këto zgjedhje me dokumentet e vjetra të vlefshme. “Kemi bërë një propozim në Parlament – ​​të bëhet një ndryshim në Kodin Zgjedhor, në të cilin do të ketë një dispozitë kalimtare vetëm për këto zgjedhje, që të vlejnë edhe dokumentet e vjetra të vlefshme që të votojnë të gjithë qytetarët. A do të miratohet apo jo, varet nga Parlamenti”, thotë kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.

Qytetarët përballen me probleme dhe paqartësi të shumta nëse do të mund të votojnë në zgjedhjet e pranverës, nëse nuk arrijnë të zëvendësojnë dokumentet në kohë. Problem ka edhe një pjesë e qytetarëve që kanë mbushur 18 ose ndërkohë do të mbushin 18 vjeç dhe nuk kanë letërnjoftim apo pasaportë.

Dashtevski thotë se personat që mbushin 18 vjeç do të mund të regjistrohen për t’u përfshirë në Listën zgjedhore. “Për të rriturit është gjetur një zgjidhje dhe dihet saktësisht me ligj se kur mund të regjistrohen”, thotë ai.

Avokati i Popullit Naser Ziberi në një konferencë për media këto ditë ka treguar se do të vihet në pikëpyetje e drejta e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, e cila është e garantuar me Kushtetutë. “Disa nga ata persona kanë dokument udhëtimi, por fatkeqësisht me formular të vjetër, që do të thotë se sipas rregullores ekzistuese ato dokumente janë të pavlefshme për pjesëmarrje në procesin zgjedhor”, tha Ziberi. Nëse Qeveria nuk merr diçka, sipas tij, shumë qytetarë mund të futen në një situatë kaq delikate. Prandaj kërkohet që të marrin me prioritet dokumentet e reja.

Problem tjetër është se nuk zbatohet neni 7 i Ligjit për Letërnjoftimet, i cili parashikon që shtetasve mbi 65 vjeç duhet të pajiset me letërnjoftim me vlefshmëri të përhershme. Në vend të kësaj, Ministria e Brendshme vazhdon të lëshojë dokumente të vlefshme për 10 vjet. Ziberi konsideron se duhet të zbatohet ky nen, i cili do të kontribuojë në uljen e presionit për ndryshimin e dokumenteve personale.

Ndryshe, në vijim është kontrollii Listës Zgjedhore, po vazhdon afati për dorëzimin dhe kërkesat nga diaspora për votim në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Gjithsej 2140 persona kontrolluan të dhënat e tyre në Listën zgjedhore në sektorët rajonal dhe zyrat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Afati i fundit për parashtrim të kërkesës për regjistrim, plotësim apo fshirje të të dhënave në ekstraktet e Listës zgjedhore është deri më 18 mars, e hënë. Afati vlen edhe për zgjedhjet parlamentare edhe për ato presidenciale. Deri të premten zgjat mbledhja e nënshkrimeve nga qytetarët për kandidatët për president në zgjedhjet e ardhshme. Në listën e kandidatëve që mblodhën 10.000 nënshkrimet e nevojshme, në ditët e kaluara ishin edhe kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska. Kandidati dhe presidenti aktual Stevo Pendarovski deri dje ka mbledhur 21.852 nënshkrime, ndërsa Gordana Siljanovska 28.029 nënshkrime. (koha.mk)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *