Lista e zezë amerikane: Jakimovski i befasuar e Janeva nuk komenton!

Ish-kryeprokurorja e Posaçme me Maqedonisë së Veriut Katica Janeva, u shpall non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit për përfshirje në korrupsion.

Së bashku me të, DASH vendosi sanksione edhe ndaj kryetarit aktual të Komunës së Karposhit në Maqedoninë e Veriut, Stevço Jakimovski. Veprimet e tyre sipas DASH gjatë kohës që ushtronin funksione zyrtare, dëmtuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse. Ish-kryeprokurorja Katica Janeva u përfshi në akte korruptive, duke shfrytëzuar ndikimin e saj politik dhe pushtetin zyrtar me qëllim përfitimin personal.

DASH thotë se për këtë çështje disponon informacione të besueshme. Në qershor të vitit 2020 ish kryeprokurorja e Posaçme e Maqedonisë së Veriut Katica Janeva u dënua me 7 vjet heqje lirie për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Ndërkohë kryekomunari i Karposhit Stevço Jakimovski ka siguruar përfitime për vete dhe për bashkëpunëtorët e tij përmes tenderave të zhvillimit urban si dhe proceseve të prokurimeve të ndryshme. Të sanksionuarve dhe familjarëve të tyre u ndalohet automatikisht hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Emërimet e sotme të ish-prokurores speciale Katica Janeva dhe kandidatit aktual për president dhe kryetarit të komunës Stevço Jakimovski nuk duhet të befasojnë askënd. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të emërojnë zyrtarë të çdo partie, dege të qeverisë ose komunitetit të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm. Populli i Maqedonisë së Veriut meriton drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet e tij për të ndalur valën e sjelljeve kriminale dhe për të ndalur kancerin e korrupsionit”, thuhet në qëndrimin e ambasadores Angela Ageler, të publikuar në faqen e Facebook-ut të Ambasadës së SHBA-së në Shkup.

Përveç Janevës dhe Jakimovskit, Departamenti i Shtetit ka identifikuar edhe anëtarët e tyre të familjes, duke përfshirë dy djemtë e rritur të Jakimovskit dhe gruan dhe djalin e rritur të Janevës, si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

 Kandidati për president, Stevço Jakimovski është shprehur se ndjehet i befasuar që është futur në listën e zezë amerikane dhe paralajmëroi që do të parashtrojë kallëzim penal.

Ai tha se nuk do të tërhiqet nga gara zgjedhore dhe futjen në listën e zezë e cilëson edhe si akt të dhunës.

“Si ta kuptojmë më ndryshe këtë akt të dhunës, nëse jo si përzierje direkte në procesin zgjedhor që është i dënueshëm dhe vepër penale. Kjo është përzierje e shërbimeve të huaja në zgjedhjen e presidentit të shtetit. Publikisht them se do të parashtroj kallëzim penal kundër kryerësit. Duhet të vërtetohet se kush nga këtu e ka bërë këtë punë të pandershme”, tha Jakimovski në paraqitjen para media para Komunës së Karposhit.

Emërimet e sotme në listën e zezë në SHBA vijnë si pjesë e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin dhe për të mbështetur sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *